Akti i dorëheqjes

Shkruan: Valon PRESTRESHI

Akti i dorëheqjes është një akt i vjetër sa vetë shtetet demokratike. Në histori, ai ka shërbyer si mjet moral dhe politik, për të marrë përgjegjësi para qytetarëve. Në aspektin juridik, dorëheqja është vendim personal i pakthyeshëm. Ndërsa në politikë, simbolizon respektin ndaj vullnetit të popullit dhe pranimin e përgjegjësisë pas humbjes.

Për këtë arsye, dorëheqja e një lideri partie nuk duhet të hidhet fare në kuvend për votim. Kuvendi ka mandat të ratifikoj vendime strategjike, jo të zhbëjë vullnetin politik të një individi ose lidershipi që merr përgjegjësi. Votimi i dorëheqjes e relativizon aktin, e kthen në kalkulim politik dhe jo në standard etik.

Madje votimi pro ose kundër dorëheqjes e devijon plotësisht kuptimin e saj. Në momentin kur delegatët votojnë, dorëheqja nuk është më dorëheqje ajo shndërrohet në proces shkarkimi apo mosshkarkimi të lidershipit. Pra, në vend të largimit vullnetar për të hapur rrugë ndryshimeve, krijohet një garë për të mbajtur ose rrëzuar udhëheqësin.

Rrjedhë pyetja, pse një lider mund ta kërkojë një votim të tillë? Sepse përmes votimit ai shpërndan përgjegjësinë dhe nëse delegatët e “refuzojnë dorëheqjen”, humbja nuk trajtohet si faj i liderit, por si vendim kolektiv. Kështu, barra politike ndahet mes 355 duarve, dhe jo të liderit. Në atë moment, në mënyrë të heshtur, akuzohet e gjithë anëtarësia e rrjedhimisht elektorati se janë ata që kanë dështuar në zgjedhje.

Ky është veprimi më i rrezikshëm. Sepse në vend që të ruhet anëtarësia dhe të mbështetet uniteti, krijohet përçarje, fajësim dhe humbje morali. Dhe një përçarje e këtij dimensioni e zhyt një parti si LDK në krizë të thellë ekzistenciale, ku mbijetesa politike vihet realisht në pikëpyetje.

Nëse lideri vendose që dorëheqja duhet votuar, atëherë delegatët, strukturat dhe anëtarësia për hir të unitetit, nuk guxojnë të dalin jashtë dëshirës së liderit. Nuk guxojnë ta tradhtojnë.

Duhet të votojnë ashtu siç është kërkuar, sepse kjo është demokraci, sepse kështu ruhet imazhi i disiplinës dhe bindjes së brendshme. Dhe vetëm duke miratuar dorëheqjen, anëtarësia konfirmon se është e bashkuar, institucionale dhe politike.


Go to TOP