KQZ merr vendim të rinumërohen 914 vendvotime
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të shkojnë në rinumërim 914 vendvotime nga procesi i parakohshëm zgjedhor i 28 dhjetorit për shkak të mospërputhjes së votave të kandidatëve të subjekteve politike.
Rekomandimi erdhi pasi Sekretariati i KQZ-së ka bërë shikimin e videoincizimeve të kamerave në vendosura në tavolinat e numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe është evidentuar se ka raste të mospërputhjeve të votave për kandidatë.
Pas këtyre evidentimeve, SKQZ-ja ka bërë verifikimin e brendshëm të fletëvotimeve për kandidatë në 2% të vendvotimeve apo 52 vendvotime nga të gjitha komunat dhe siç u bë e ditur deri në përfundim të ditës së djeshme janë verifikuar 33 vendvotime, ku thuhet se rezulton se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin e votave të kandidatëve të evidentuara në fletëvotime.
10 komunat të cilat do t’i nënshtrohen komplet rinumërimit, pra 100% të vendvotimeve janë Dragashi, Kaçaniku, Lespoaviqi, Prizreni, Skënderaj, Shtimja, Ferizaj, Vushtrria, Mamusha dhe Ranillugu.
Ndërkaq, 28 komunat tjera, do të rinumërohen nga 10% e vendvotimeve, ato janë Deçani, Gjakova, Gllogoci, Gjilani, Istogu, Klina, Fushë Kosova, Kamenica, Mitrovica e Jugut, Lipjani, Novobërda, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Podujeva, Prishtina, Shtërpca, Suhareka, Vitia, Zubin Potoku, Zveçani, Malisheva, Juniku, Hani i Elezit, Graçanica, Parteshi, Kllokoti dhe Mitrovica e Veriut.
Rinumërimi i këtyre vendvotimeve do të zhvillohet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve dhe do të fillojë sot në orën 18:00.
Paraprakisht gjatë debatit, Alban Krasniqi nga LVV-ja tha se në bazë të procesit të verifikimit të rezultateve ka dalë një shmangie, që tha se për ta ka qenë shqetësuese, dallim deri në 714 vota.
“Ka pasur deri në 714 vota të kandidatëve që kanë ndryshuar gjatë verifikimit në secilën komunë të vetëm dy subjekteve, ka pasur në të gjitha komunat shmangie, disa prej tyre janë normale sepse janë brenda kuadrit të gabimeve njerëzore, por për ne ka qenë shqetësuese që në disa komuna kemi vërejtur një trend jo normal, andaj duhet siguruar transparencë dhe saktësi për procesin e numërimit”, deklaroi ai.
Muharrem Nitaj nga AAK-ja tha se mospërputhja në rezultat në 2 për qind të kutive të numëruara ka të bëjë me kandidatët e subjekteve politike, brenda subjekteve politike dhe nuk është fjala për vota midis partive politike. “Prandaj edhe mendoj që duhet të evidencohet që në rezultatin e 2 përqindëshit të numëruar, përzgjedhja e komunave nuk është e rastësishme, por mospërputhjet në këto dhjetë komuna kanë qenë në përqindjen më të lartë, prandaj është vendosur që dhjetë komunat të shkojnë në rinumërim të plotë”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Ilir Gashi nga PDK tha se mbështesin këtë propozim pasi tha se qëllimi i vetëm i të gjithëve është të pasqyrohet saktë vullneti i secilit qytetarë.
“Dhe e kemi obligim që vota e secilit të pasqyrohet saktë e drejtë, gjithmonë po flasim për votën brenda llojit të subjekteve politike, brenda kandidatëve, në mënyrë që të evitojmë të gjitha parregullsitë e mundshme që kanë ndodhur. Ajo që më shqetëson është fakti që kjo po përsëritet në çdo palë zgjedhje, pavarësisht që ne kemi tentuar të marrim masa sigurie, prapë po ndodhë”, deklaroi Gashi, i cili tha se vetëm skanimi i fletëvotimeve eviton për të ardhmen një problem që tha se po e përcjellë KQZ-në në çdo proces zgjedhor.
Sami Hamiti nga LDK tha se askush nuk duhet t’i frikësohet rinumërimit. “Ata që e kanë bërë ia pafshin hajrin nga i pari deri te i fundit. Rekomandimi është analizuar shumë mirë. Për ata që shihet që kanë pasur tendencë ia pafshin hajrin, në prokurori”, deklaroi ai.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se nëse pas rinumërimit konstatohet se janë manipuluar votat brenda partive do të ketë paraqitje penale për të gjithë ata që kanë numëruar dhe kanë bërë manipulime, por tha se kjo do të vendoset pasi të kryhet rinumërimi.
