PDK nis përgatitjet për zgjedhje të brendshme pas analizës së rezultatit të 28 dhjetorit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e Kryesisë, të dytën me radhë pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku në fokus ka qenë analiza e brendshme e procesit zgjedhor dhe e rezultatit elektoral.

Gjatë mbledhjes janë trajtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse të gjitha çështjet që lidhen me zgjedhjet e fundit, në të cilat PDK u rendit si forca e dytë politike duke ruajtur mbështetjen e saj tradicionale elektorale. Po ashtu, Kryesia ka nxjerrë rekomandime konkrete për hapat e ardhshëm politikë dhe organizativë të partisë në të gjitha nivelet.

Si hap i parë drejt forcimit dhe ecjes përpara, Kryesia e PDK-së ka miratuar vendimin për fillimin e përgatitjeve për zgjedhjet e brendshme partiake. Këto zgjedhje do të zhvillohen në të gjitha nivelet organizative, nga nëndegët dhe degët, deri te organet qendrore të partisë.

Procesi pritet të nisë në javët e ardhshme përmes emërimit të grupeve punuese dhe përpilimit të hapave konkretë, me synimin për të garantuar një proces gjithëpërfshirës, demokratik dhe transparent. Sipas PDK-së, ky proces ka për qëllim konsolidimin e strukturave, forcimin e unitetit të brendshëm dhe përgatitjen e partisë për sfidat e ardhshme politike.

Partia Demokratike e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj që, mbi bazën e reflektimit dhe përgjegjësisë politike, të vazhdojë ngritjen si një parti kryesore opozitare, e organizuar dhe e besueshme, në shërbim të qytetarëve dhe interesit të Republikës së Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP