Agani: Vullneti i qytetarëve duhet respektuar, angazhimi im politik vazhdon me përgjegjësi dhe maturi

Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka deklaruar se procesi zgjedhor ka përfunduar dhe se vullneti i qytetarëve meriton respekt të plotë, pa asnjë hezitim, pavarësisht rezultateve personale në zgjedhje.

Në deklaratën e tij publike, Agani ka theksuar se edhe pse nuk ka arritur të zgjidhet deputet, mbështetja e 11.214 qytetarëve për të dhe për vizionin politik që përfaqëson mbetet një përgjegjësi e madhe morale dhe publike, e cila nuk përfundon me mbylljen e kutive të votimit.

Sipas Aganit, zgjedhjet kanë dërguar një mesazh të qartë se Kosova ka nevojë për më shumë maturi politike, dialog konstruktiv dhe bashkëpunim ndërpartiak, veçanërisht në momentet kur vendimmarrja institucionale kërkon konsensus të gjerë. Ai ka vlerësuar se politika nuk është vetëm çështje mandatesh apo aritmetike parlamentare, por përgjegjësi ndaj stabilitetit institucional dhe interesit afatgjatë të shtetit.

Në këtë frymë, Agani ka bërë të ditur se do të vazhdojë me përkushtim punën për reformimin dhe forcimin e Partisë së Drejtësisë duke e cilësuar atë si një subjekt politik të ndërtuar mbi parime konservatore, përgjegjësi publike dhe vizion shtetformues. Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për alternativa serioze dhe për aktorë politikë që vendosin interesin shtetëror mbi kalkulimet afatshkurtra partiake.

Duke folur për rrethanat e ndjeshme politike që e presin vendin, përfshirë edhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, Agani ka deklaruar se mbetet i përkushtuar të kontribuojë në mënyrë konstruktive drejt një zgjidhjeje konsensuale, e cila garanton funksionimin normal të institucioneve, respektimin e Kushtetutës dhe unitetin e brendshëm të vendit.

Ai ka theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet dhe jo për bllokada institucionale apo përplasje politike që dëmtojnë besimin e qytetarëve.

Në fund, Agani ka bërë të ditur se angazhimi i tij politik do të mbetet i fokusuar në çështjet që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, me theks të veçantë në shëndetësinë publike, shëndetin mendor të rinisë, forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin institucional.

“Politika matet me përgjegjësi, qartësi dhe gatishmëri për të kontribuar në momentet kyçe për vendin, pavarësisht pozitës formale”, ka përfunduar Agani duke falënderuar qytetarët për besimin dhe mbështetjen e dhënë. /Kosova.info/

Go to TOP