Kryeziu: Opozita humbi zgjedhjet nga mungesa e terrenit, jo për shkak të diasporës

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka reaguar lidhur me debatin për rolin e diasporës në rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se diaspora nuk e krijoi fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, por vetëm e thelloi atë.

Sipas Kryeziut, Vetëvendosje ishte subjekti i parë edhe nëse llogariten vetëm votat e qytetarëve rezidentë në Kosovë, çka dëshmon se fitorja nuk ishte produkt i ndihmës nga diaspora. Ai thekson se partitë opozitare nuk humbën sepse Vetëvendosje “u ndihmua” nga votuesit jashtë vendit, por sepse dështuan të bënin politikë reale.

“Opozita nuk ndërtoi terren, nuk mobilizoi struktura dhe nuk krijoi energji elektorale. Në vend të fushatës reale, u zgjodh komoditeti i rrjeteve sociale, improvizimet, ambalazhi politik dhe intervistat e përsëritura në sallone të mbyllura,” ka deklaruar Kryeziu duke shtuar se këto parti u shkëputën plotësisht nga qytetarët.

Ai vlerëson se një fushatë pa horizont fitoreje mbetet vetëm performancë simbolike dhe jo strategji politike. Në këtë kontekst, Kryeziu sjell si shembull angazhimin e kryeministrit Albin Kurti, i cili, sipas tij, edhe një ditë para zgjedhjeve ishte në terren, në takime të drejtpërdrejta me qytetarë dhe me figura me peshë shoqërore e kombëtare.

Në anën tjetër, ai kritikon liderët opozitarë që, sipas tij, predikonin “ndryshimin”, por besonin se disa intervista televizive dhe fushata digjitale mund ta zëvendësonin kontaktin politik real me votuesit. Pa struktura funksionale, pa terren dhe pa lidhje me qytetarët, Kryeziu thotë se humbja ishte e pashmangshme.

Në përfundim, Ismet Kryeziu thekson se rezultati zgjedhor nuk ishte surprizë, por pasojë logjike e zgjedhjeve politike të bëra gjatë fushatës. “Përgjegjësia nuk është diaspora, por një opozitë që zgjodhi rehatinë në vend të betejës politike,” përfundon ai. /Kosova.info/

Go to TOP