BKS: Hetimi në Prizren u iniciua nga vetë Byroja pas gjetjeve të Auditimit të Brendshëm

Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) ka njoftuar opinionin publik se rasti i fundit që po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prizren, për të cilin janë raportuar bastisje dhe veprime hetimore, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka rrjedhur si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm, ku janë evidentuar shkelje serioze dhe dyshime për keqpërdorime. Pas këtyre gjetjeve, Byroja ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ligjore duke i adresuar ato tek organet kompetente të rendit dhe drejtësisë.

BKS thekson se, në kuadër të angazhimit të saj për transparencë, integritet institucional dhe mbrojtje të interesit publik, ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë në mënyrë të plotë me Prokurorinë dhe Policinë e Kosovës duke vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për zhvillimin e hetimeve.

Po ashtu, Byroja Kosovare e Sigurimeve rithekson përkushtimin e saj në forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm, parandalimin e keqpërdorimeve dhe garantimin e menaxhimit të përgjegjshëm të mjeteve financiare, në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi.

Në njoftim thuhet se BKS respekton parimin e prezumimit të pafajësisë dhe beson se organet e drejtësisë do ta zbardhin plotësisht këtë rast duke vepruar në përputhje me ligjin.

Për çdo zhvillim të mëtejmë, opinioni publik do të njoftohet në kohë përmes kanaleve zyrtare të Byrosë.

Në fund, BKS shpreh falënderim dhe vlerësim të veçantë për Prokuroritë kompetente dhe Policinë e Kosovës, për angazhimin profesional, veprimet e shpejta dhe bashkëpunimin korrekt institucional duke theksuar se ky bashkëpunim dëshmon përkushtimin e përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik. /Kosova.info/


Go to TOP