Mesazhi i Radoniqit: Bëhuni pjesë procesit, shprehni lirshëm vullnetin
Më pak se 48 orë e ndajnë Kosovën nga hapja e Qendrave të Votimit në gjithë Kosovën ku qytetarët do të dalin të votojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të kësaj të diele të 28 dhjetorit. Mesazh për qytetarët ka përcjellë nga zyra e KQZ-së, kryesuesi i këtij institucioni, Kreshnik Radoniqi që bëri thirrje qytetarëve me të drejtë vote, që ta realizojnë të drejtën e tyre kushtetuese.
“Të votojnë dhe të shprehin lirshëm vullnetin e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit. Pjesëmarrja juaj është e një rëndësie të veçantë, andaj ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e këtij procesi”, tha Radoniqi.
Apeloi tek të gjithë anëtarët e Këshillave të Vendvotimit që të përkujdesen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, derisa kujtoi se me qëllim të ruajtjes së integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor, KQZ-ja ka një bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit.
Radoniqi tha se KQZ-ja është në kontakt me KEDS-in për qëllimin e furnizimit me energji të Qendrave të Votimit.
Pikërisht kjo ishte një nga shqetësimet që nxiti debat në mbledhjen e sotme të KQZ-së.
llir Gashi anëtar nga PDK-ja, ka ngritur shqetësim sa i përket raportit ku përmendet fakti se ekziston rreziku që në 888 Qendra Votimi të ketë probleme me energjinë elektrike më 28 dhjetor.
“Kemi pranuar një raport për të cilin sa i përket kërkesës që ne i kemi bërë KEDS-it për të siguruar energji të mjaftueshme sa i përket zgjedhjeve. Një raport që ju na keni dërguar për mua është shumë shqetësues për faktin se ka paralajmërime që diku në 888 Qendra Votimi mund të mos ketë energji elektrike”, tha ai.
Besnik Buzhala nga Sekretariati i KQZ-së, tha se sot kanë pasur takim me KOSTT-in, që sipas tij, pikat më problematike në tërë territorin janë Rahoveci e cila e shpërndanë energjinë edhe për Malishevën, dhe Prizreni 1 që e furnizon Dragashin.
Megjithatë ai tregoi se në ditën e zgjedhjeve do të jenë të angazhuar mbi 1 mijë zyrtarë të KEDS-it që , siç tha i bie që secila Qendër Votimi do të jetë e mbuluar nga ta.
Muharrem Nitaj i AAK-së e ka pyetur Buzhalën nëse kanë pasur kërkesë specifike ndaj KEDS-it e KOSTT që nëse ka mbingarkesë në kohë të caktuar që të shkyçen pjesë tjera që të mos rrezikohen vendvotimet.
“Nëse keni marrë një përgjigje e garanci që do të ndodhë kjo, atëherë problemi me energjinë do të jetë i zgjidhur”, tha Nitaj.
Buzhala tha se i kanë njoftuar të dyja institucionet që Qendrat e Votimit nuk guxojnë të mbesin pa energji elektrike.
Ndërkohë, Alban Krasniqi nga LVV-ja, tha se ka shkolla të komunave pa dallim që ose nuk ka rrymë korridori apo nuk ka poç elektrik salla apo klasa ku organizohet procesi i votimit, andaj tha se këto probleme duhet rregulluar, sepse janë obligime ligjore.
Paraprakisht, Buzhala paraqiti raportin para anëtarëve të KQZ-së, tha se, në të gjitha komunat, janë dërguar kamerat regjistruese që do të vendosen në vendvotime të dielën e 28 dhjetorit.
“Po ashtu, janë transportuar të gjitha materialet jo të ndjeshme zgjedhore, kabinat e votimit, pakot me materiale administrative, pajisjet e teknologjisë informative”, tregoi ai.
Tutje, Buzhala tha se me 25 dhjetor janë pranuar fletëvotimet dhe listat përfundimtare të votuesve për vendvotimet brenda Kosovës.
“Këto materiale të ndjeshme janë përcjellë përmes Policisë së Kosovës nga pika kufitare e Vermices. Fletëvotimet, listat përfundimtare të votuesve, vulat e vendvotimeve dhe ngjyra, të kategorizuara si materiale të ndjeshme do të transportohen nesër në Qendrat Komunale të Numërimit duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit”, tha Buzhala.
Ai tregoi se dje po ashtu në QNR, ka filluar përgatitja e pakove me formularë dhe format zgjedhore, të cilat janë shpërndarë në 19 komuna e mbetet të shpërndahen edhe në komuna të tjera që përfshinë formularët zgjedhor për vendvotimet e rregullta, me kusht, ekipet mobile për votimin e personave me nevoja të veçanta.
