Abdixhiku nga Lipjani: Mërgata dhe qytetarët kërkojnë shpresë, zhvillim dhe normalitet – LDK është rruga
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përcjellë mesazhe të fuqishme nga Lipjani, gjatë një tubimi qendror të mbajtur me pjesëmarrje të madhe të mërgimtarëve dhe qytetarëve vendorë.
Abdixhiku theksoi se mërgata nuk sjell vetëm mallin për vendlindjen, por edhe vullnetin e jashtëzakonshëm për ta mbështetur LDK-në duke e cilësuar ardhjen e tyre si forcë, besim dhe përgjegjësi për të ardhmen e Kosovës. Sipas tij, kjo është dëshmi e qartë se LDK mbetet shtëpia politike e qytetarëve, brenda dhe jashtë vendit.
Ai vuri në pah zhgënjimin e qytetarëve me pesë vjet popullizëm dhe mungesë rezultatesh duke theksuar se sot kërkohet shpresë reale për Kosovën, e cila ka mbetur në zymtësi. “Tani kërkohet zhvillim, stabilitet dhe normalitet,” u shpreh Abdixhiku.
Duke folur për Lipjanin, Abdixhiku tha se ky qytet, nën frymën e Imri Ahmetit, foli qartë, me dinjitet dhe me argumente duke kërkuar një qeverisje që u shërben qytetarëve dhe jo interesave personale. Ai theksoi se kjo rrugë gjendet te LDK-ja, te programi serioz, te njerëzit e përgjegjshëm dhe te vizioni i qartë për të ardhmen e vendit.
Në listën zgjedhore të LDK-së, Lipjani përfaqësohet me tre kandidatë me përvojë institucionale dhe në qeverisje lokale: Naser Osmani (nr. 55), Latif Ramadani (nr. 56) dhe Anila Deliu (nr. 57).
Në përmbyllje, Abdixhiku falënderoi Lipjanin për energjinë, mbështetjen dhe besimin duke theksuar se me këtë frymë bashkimi dhe shprese, LDK po ecën me vendosmëri drejt fitores. /Kosova.info/
