Krasniqi: Qeveria po shkel Kushtetutën duke ua mohuar zyrtarëve publikë 0.5% të përvojës së punës
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputete, me numër 84, Nazmije Krasniqi, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për shkelje të rëndë kushtetuese dhe ligjore lidhur me pagesën e përvojës së punës për zyrtarët publikë.
Ajo ka rikujtuar se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, më 26 dhjetor 2023, e shpalli antikushtetues përgjysmimin e pagesës për përvojën e punës, duke e rrëzuar praktikën e zbatimit të normës 0.25% në vend të 0.5%. Sipas Krasniqit, Kuvendi i Kosovës kishte afat prej gjashtë muajsh për ta rregulluar këtë çështje, por dështoi ta bëjë këtë, ndërsa Qeveria kishte detyrim kushtetues të veprojë menjëherë pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Qeveria zgjodhi të mos veprojë. Që nga gushti i vitit 2024, pagesa prej 0.25% është e paligjshme, megjithatë Qeveria vazhdon t’ua ndalë zyrtarëve publikë 0.5% që u takon me ligj”, ka theksuar Krasniqi. Ajo ka theksuar se kjo situatë po prodhon pasoja të rënda financiare dhe institucionale, duke i detyruar zyrtarët publikë: të padisin shtetin në gjykata, të paguajnë shpenzime për avokatë, dhe të përballen me humbje mujore përmes moszbatimit të aktgjykimit kushtetues.
Sipas saj, tashmë zyrtarët publikë po i fitojnë rastet në gjykatë, ndërsa shteti po i humb ato, duke u detyruar që: të paguajë 0.5% për vite prapavepruese, si dhe të mbulojë shpenzimet gjyqësore nga buxheti i shtetit. “Me fjalë të tjera, Qeveria po e dëmton drejtpërdrejt buxhetin publik për të mbuluar paaftësinë dhe kokëfortësinë e saj politike”, ka deklaruar Krasniqi.
Ajo ka shtuar se kjo nuk është reformë, por shkelje e Kushtetutës dhe ndëshkim i padrejtë ndaj zyrtarëve publikë. “0.5% është e drejtë ligjore, jo favor politik. Qeveria duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe ligjore për këtë shkelje”, ka përfunduar kandidatja e LDK-së për deputete, Nazmije Krasniqi. /Kosova.info/
