Abdixhiku nga Malisheva: Zgjidh shpresën, me përfaqësim të fortë për të ardhmen e Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka mbajtur tubimin e fundit të fushatës sonte në Malishevë duke e cilësuar këtë qytet si simbol të qëndresës, sakrificës dhe dinjitetit kombëtar.
Në një vend me histori të thellë patriotike, Abdixhiku theksoi se Malisheva nuk e ka përdorur kurrë atdhedashurinë për dekor politik, por e ka dëshmuar atë me punë, me gjak dhe me durim. Sipas tij, të flasësh për zgjim dhe shpresë në Malishevë nuk është vetëm akt politik, por përgjegjësi morale ndaj historisë dhe qytetarëve të saj.
Ai vuri në pah përfaqësimin e Malishevës në listën zgjedhore të LDK-së duke prezantuar dy kandidatë me përvojë dhe kontribut të veçantë për shtetin e Kosovës. Me numër 35, Gjeneral Major Gëzim Hazrolli, u cilësua si njeri i shtetit dhe i sigurisë, me mbi 30 vjet shërbim, arsimim në akademi prestigjioze ushtarake dhe i dekoruar me nderimet më të larta shtetërore. Ndërsa me numër 60, Fetah Rudi, u vlerësua si figurë e palëkundur për lirinë dhe të ardhmen e vendit, mësimdhënës, aktivist politik e humanitar, gjithmonë në shërbim të qytetarëve, edhe në periudhat më të vështira.
Abdixhiku theksoi se Malisheva ka një përfaqësim të fortë, të besueshëm dhe të përkushtuar për sigurinë, zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës duke u bërë thirrje qytetarëve që në zgjedhje të “zgjedhin shpresën”. /Kosova.info/
