Hamza premton rritje 50% të pagave dhe pensioneve: Do të krijojmë fond për të papunët dhe gjykatë të punës
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar rritje prej 50 për qind të pagave dhe pensioneve, si dhe krijimin e një fondi të veçantë për qytetarët që humbin vendin e punës.
Gjatë tubimit elektoral të mbajtur sonte në Vushtrri, Hamza tha se programi i PDK-së parasheh themelimin e fondit të papunësisë, i cili do t’u garantojë të papunëve pagesë prej 80 për qind të pagës së fundit për një periudhë gjashtëmujore.
“Programi ynë ofron garanci për të punësuarit. Ne do të krijojmë fondin e papunësisë, një fond që iu garanton të gjithëve atyre që për arsye të ndryshme i humbin vendet e punës, që të mos mbesin pa paga, por të kenë të garantuar pagesën nga shteti prej 80 për qind të pagës së fundit për gjashtë muaj,” tha Hamza.
Ai shtoi se PDK-ja synon edhe krijimin e Gjykatës së Punës, e cila do të trajtojë kontratat e punës dhe do të mbrojë të drejtat e punëtorëve në sektorin publik dhe privat.
Hamza theksoi se rritja e pagave do të zbatohet që në fillim të mandatit qeverisës duke përfshirë arsimtarët, profesorët, mësuesit, mjekët, policët, ushtarët dhe të gjithë punonjësit që paguhen nga buxheti i Kosovës.
“Në fillim të mandatit do të rriten pagat për 50 për qind për arsimtarë, profesorë, mësues, mjekë, policë, ushtarë dhe për të gjithë ata që realizojnë paga nga buxheti i Kosovës. Përveç pagave, do t’i rrisim edhe pensionet për 50 për qind,” u shpreh ai.
Kryetari i PDK-së kritikoi qeverisjen aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje duke vlerësuar se vendi nuk ka dështuar si shtet, por është keq-qeverisur.
“Viteve të fundit janë dhënë premtime të mëdha, por rezultatet kanë qenë të vogla. U fol shumë për drejtësi, por u krijua pasiguri. U fol për zhvillim, por u rritën çmimet dhe u shtrenjtua kosto e jetesës. U fol për sovranitet, por u dobësuan aleancat. Kosova nuk ka dështuar si shtet, por është keq-qeverisur. Sot qytetarët po e paguajnë çmimin me paga të ulëta dhe furnizim jo-stabil të energjisë elektrike me çmime të larta,” përfundoi Hamza. /Kosova.info/
