Popaj: Nazmije Krasniqi-Jusufi, lidershipi që i ka munguar Kosovës – një zë i fuqishëm për Kuvendin

Në kuadër të garës zgjedhore, Nazmije Krasniqi-Jusufi po prezantohet si një nga kandidatet më të spikatura dhe më të nevojshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës duke u vlerësuar si lidershipi që i ka munguar vendit për vite me radhë.

Në një shkrim të saj, Arbnora Popaj theksoi se Krasniqi-Jusufi përfaqëson një figurë të rrallë politike dhe profesionale: një grua intelektuale, vizionare dhe me integritet të lartë, e cila vjen në politikë me forcën e dijes dhe përkushtimit ndaj qytetarëve dhe shtetit.

Juriste me profesion dhe Master i Shkencave Juridike në drejtimin Kushtetues-Administrativ, Nazmije Krasniqi-Jusufi posedon një bagazh të thellë akademik dhe profesional në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut dhe qeverisjes lokale. Me mbi 20 vite përvojë në administratën publike, ajo ka shërbyer në role kyçe duke nisur si zyrtare ligjore në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), më pas si udhëheqëse e Burimeve Njerëzore dhe si udhëheqëse e Divizionit për Transparencë në Komuna.

E njohur për zërin e saj të guximshëm në mbrojtjen dhe fuqizimin e të drejtave të grave, Krasniqi-Jusufi shihet si një nga figurat më të rëndësishme që duhet të ketë sot Parlamenti i Kosovës. Ajo ka qenë aktive në shoqërinë civile, menaxhere e projekteve zhvillimore dhe kontribuuese direkte në hartimin e akteve nënligjore dhe dokumenteve kyçe për qeverisjen lokale duke ndihmuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe institucioneve publike.

Si aktiviste e hershme e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pjesë e Forumit të Gruas dhe Forumit Rinor, ajo mbetet e përkushtuar ndaj vlerave demokratike dhe përfaqësimit të denjë të grave në vendimmarrje. Njëkohësisht, ajo përshkruhet si nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar duke dëshmuar se profesionalizmi dhe humaniteti bashkëjetojnë natyrshëm me vlerat familjare.

“Sot qytetarët kanë mundësinë të kenë zërin e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës – një grua të fortë, një lidere të denjë dhe një zë të fuqishëm për Kosovën, që do të flasë me guxim dhe do t’i shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim,” u shpreh Popaj.

Nazmije Krasniqi-Jusufi po vlerësohet si një kandidate e çmuar dhe një shpresë reale për një shtet më të drejtë, institucione më llogaridhënëse dhe një të ardhme më të barabartë për të gjithë qytetarët e Kosovës. /Kosova.info/

Go to TOP