Bajrami demanton Kurtin: Buxheti nuk është 4 miliardë, po 2.854 miliardë euro – rritje nga inflacioni
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së Kryeministrit Albin Kurti, i cili gjatë një tubimi në Mitrovicë tha se qeveria e kaluar kishte lënë buxhetin e Kosovës 2.4 miliardë euro në vitin 2021, ndërsa sot ai ka arritur në 4 miliardë euro.
Bajrami e ka quajtur këtë deklaratë të pavërtetë duke theksuar se shifrat reale nuk përputhen me pretendimet e Kurtit. Sipas saj, deri më 30 nëntor 2025, buxheti i Kosovës është 2.854 miliardë euro, e jo 4 miliardë siç është deklaruar nga Kryeministri.
“Mos gënje për buxhetin, sepse është turp. Ne e kemi lënë buxhetin 2.4 miliardë euro, ndërsa ti sot ke 2.854 miliardë euro. Kjo rritje është kryesisht pasojë e inflacionit dhe praktikisht e barabartë me importin e energjisë elektrike gjatë mandatit tënd,” ka shkruar Bajrami.
Ajo ka përmendur gjithashtu punën e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti duke veçuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të vitit 2016, si marrëveshjen e parë kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian. Në të kundërt, Bajrami ka theksuar se gjatë mandatit të Kurtit, BE-ja i ka vendosur Kosovës masa ndëshkuese.
Në reagimin e saj, Bajrami ka qenë kritike edhe për të ardhmen politike të Kurtit duke deklaruar se ai “kurrë nuk do të arrijë ta bëjë buxhetin 4 miliardë euro”, pasi sipas saj, pas 28 dhjetorit nuk do të jetë më Kryeministër i vendit.
Në fund, ajo i ka bërë thirrje Kurtit dhe ekipit të tij për debat publik duke ftuar që bashkë me Avdullah Hotin ta përballin qeverinë aktuale në studio televizive.
“Merre atë grupin e WhatsApp-it, unë dhe Avdullah Hoti ju presim në studio dhe ju tregojmë çka kemi punuar ne e çka keni dështuar ju,” ka përfunduar Bajrami. /Kosova.info/
