Muharremi: Programet nuk po vlerësohen nga votuesit në Kosovë

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar lidhur me publikimin e programit qeverisës të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) duke ngritur pikëpyetje nëse partitë e tjera politike kanë vepruar njësoj dhe duke kritikuar mënyrën se si vlerësohen programet politike nga votuesit në Kosovë.

Përmes një postimi, Muharremi ka bërë të ditur se LDK tashmë ka publikuar programin e saj qeverisës, ndërsa ka ftuar partitë e tjera që të bëjnë publike dokumentet e tyre programore, në mënyrë që qytetarët t’i lexojnë dhe t’i krahasojnë në detaje.

Ai ka theksuar se programi i ri i LDK-së paraqet një ndryshim thelbësor krahasuar me të kaluarën. Sipas tij, më herët LDK ishte krenuar me programin “Rruga e Re”, një dokument prej rreth 200 faqesh, ndërsa programi aktual qeverisës përbëhet vetëm nga 51 faqe.

Muharremi ka ironizuar këtë shkurtim duke thënë se LDK ka nxjerrë mësime nga realiteti politik në Kosovë. Sipas tij, kur është parë se Lëvizja Vetëvendosje ka arritur të fitojë rreth 400 mijë vota pa një program të detajuar, mesazhi ka qenë se programet e gjata dhe të elaboruara nuk sjellin domosdoshmërisht fitore elektorale.

“Në Kosovë fatkeqësisht nuk vlerësohet programi dhe as ngritja profesionale. Kjo duhet të ndryshojë”, ka shkruar Muharremi duke shtuar se është i tronditur që persona pa përvojë në politikat publike apo në institucione kanë marrë më shumë vota sesa figura me përvojë dhe kapacitete të dëshmuara.

Në përfundim, ai ka kritikuar kulturën politike dhe mënyrën e votimit në shoqërinë kosovare duke thënë se si shoqëri ende nuk dimë të vlerësojmë dhe të votojmë mbi bazën e meritës dhe programeve konkrete, ndërsa mesazhin e tij e ka mbyllur me thirrjen: “Zot, në dorën tënde këtë shoqëri.” /Kosova.info/

Go to TOP