Lansohet ankandi i parë konkurrues për energji me erë deri në 100 MW
Sot u mbajt ceremonia e lansimit zyrtar të Kërkesës për Propozime për ankandin e parë konkurrues për energji me erë, me kapacitet të synuar deri në 100 megavatë.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky ankand do të sjellë më shumë prodhim vendor të energjisë, më pak varësi nga importi dhe çmime më të përballueshme për qytetarët, si rezultat i konkurrencës së drejtpërdrejtë ndërmjet kompanive të kualifikuara.
Image
Ajo theksoi se ky projekt nuk qëndron i vetëm, por është pjesë e strategjisë së gjerë për sektorin e energjisë, e cila synon tranzicionin energjetik duke vepruar paralelisht në tri drejtime: forcimin e kapaciteteve ekzistuese, ndërtimin e kapaciteteve të pastra dhe modernizimin e rrjetit energjetik për t’i përballuar ato.
Image
Rizvanolli përmendi se vetëm këtë vit, modernizimi i njësisë B2 në Termocentralin Kosova B ka sjellë rreth 85 megavatë më shumë prodhim dhe 12 për qind më pak ndotje. Investime të ngjashme kanë nisur edhe në njësitë e tjera të KEK-ut, me një vlerë totale investimesh prej rreth gjysmë miliardi euro.
