Besim Mulaj prezanton 5 angazhimet kryesore si kandidat i LDK-së për Kuvendin e Kosovës
Besim Mulaj, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për deputet, ka prezantuar pesë angazhimet e tij kryesore që synon t’i çojë përpara në Kuvendin e Kosovës duke theksuar se politika duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe interesit shtetëror, e jo grupeve të ngushta.
Në deklarimin e tij publik, Mulaj thekson se zëri i qytetarëve do të jetë prioritet absolut i përfaqësimit të tij. Ai premton se çdo shqetësim i qytetarëve do të ketë adresë të drejtpërdrejtë në Kuvend, përmes dëgjimit, përfaqësimit dhe kërkimit të zgjidhjeve reale.
Një tjetër angazhim kyç është votimi i ligjeve vetëm në interes të Kosovës. Mulaj thekson se nuk do të mbështesë asnjë iniciativë që nuk është në dobi të qytetarëve dhe shtetit duke refuzuar pazaret politike dhe interesat klienteliste.
Në fokus të programit të tij është edhe zhvillimi ekonomik. Ai angazhohet për ndryshime ligjore që krijojnë një klimë më të favorshme për investime duke e bërë Kosovën më tërheqëse për kapitalin e huaj dhe duke hapur vende të reja pune.
Mulaj paralajmëron gjithashtu një luftë të pandalshme kundër monopoleve, të cilat, sipas tij, dëmtojnë konkurrencën e lirë dhe rëndojnë jetën e përditshme të qytetarëve.
Sa i përket zhvillimit rajonal, ai premton lobim të vazhdueshëm për përfundimin e projekteve infrastrukturore, me prioritet rrugët Pejë–Rugovë, Klinë-Istog dhe rruga Kalliqan në Bjeshkë, të cilat i konsideron projekte strategjike për zhvillim dhe perspektivë ekonomike.
“Këto nuk janë premtime boshe, por angazhime që i marr me përgjegjësi të plotë,” ka theksuar Mulaj duke shtuar se Kosova ka nevojë për përfaqësim të ndershëm dhe punë konkrete në Kuvend.
Ai kandidon me numrin 79 në listën e LDK-së, ndërsa numri i subjektit është 123. /Kosova.info/
