Fundjavë me mjegull dhe vranësira – kushtet mbeten të favorshme për punime bujqësore
Institucioni Hidrometeorologjik i Kosovës njofton se gjatë fundjavës vendi do të karakterizohet nga mjegulla, vranësirat dhe intervale të shkurtra me diell, ndërsa temperaturat pritet të jenë tipike për muajin dhjetor.
Të shtunën, parashihet të mbajë mot kryesisht i vranët me periudha me diell. Në orët e mëngjesit pritet mjegull, e cila në disa zona të thella mund të mbetet e qëndrueshme gjatë gjithë ditës. Temperaturat minimale do të lëvizin nga -2 deri në 0°C, ndërsa ato maksimale nga 6 deri në 9°C. Do të fryjë erë e lehtë nga veriperëndimi me shpejtësi 1–4 m/s.
Të dielën, moti vazhdon me vranësira dhe intervale me diell, ndërsa mjegulla e radiacionit pritet të jetë e pranishme në shumë zona në mëngjes. Temperaturat minimale do të zbresin nga -4 deri në -2°C, ndërsa maksimalet mbeten në intervalin 6–9°C. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1–3 m/s.
Ndërkohë, kushtet agrometeorologjike mbeten relativisht të favorshme për kryerjen e punimeve në bujqësi. Për shkak të reshjeve të shumta gjatë muajit nëntor, shumë fermerë nuk kanë arritur ta përfundojnë mbjelljen e grurit në afatin optimal. Megjithatë, ekspertët theksojnë se mbjellja e grurit në dhjetor është ende e mundur duke respektuar rekomandimet teknike dhe agronomike për të siguruar mbirje dhe zhvillim të qëndrueshëm të kulturës.
Parashikimi i motit dhe vlerësimet agrometeorologjike sugjerojnë se fundjava mbetet e përshtatshme për vazhdimin e aktiviteteve bujqësore atje ku kushtet e terrenit e lejojnë. /Kosova.info/
| Komuna (Qyteti) | 13.12.2025 | 14.12.2025 | ||
| Temp. Min. 0C | Temp. Max. 0C | Temp. Min. 0C | Temp. Max. 0C | |
| Prishtinë | -1 | 8 | -3 | 8 |
| Pejë | -1 | 8 | -3 | 8 |
| Prizren | 0 | 9 | -2 | 9 |
| Gjakovë | 0 | 9 | -2 | 9 |
| Istog | 0 | 9 | -2 | 9 |
| Junik | -1 | 8 | -2 | 8 |
| Dragash | -2 | 6 | -4 | 6 |
| Ferizaj | -1 | 7 | -3 | 7 |
| Gjilan | -1 | 7 | -3 | 7 |
| Kamenicë | -1 | 8 | -3 | 8 |
| Besianë | -1 | 7 | -2 | 7 |
| Mitrovicë | 0 | 7 | -2 | 7 |
| Malishevë | 0 | 8 | -2 | 8 |
