Përplasja Murati–Lushaku: Liberalizimi, izolimi dhe akuzat për humbjet financiare ndezin debatin para zgjedhjeve
Debati politik për liberalizimin e vizave dhe izolimin ndërkombëtar të Kosovës është rindezur ashpër pas komenteve të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe reagimit të menjëhershëm të deputetes së LDK-së, Jehona Lushaku.
Murati, përmes një reagimi publik, ironizoi deklaratat e opozitës se “Kosova po izolohet nga Qeveria Kurti” duke kujtuar se në qeverisjet e kaluara qytetarët prisnin me muaj për viza, përgatisnin dokumente të shumta dhe paguanin shuma të konsiderueshme vetëm për të vizituar familjarët në diasporë.
“Sot, paradite e blen biletën e pasdite hyn në aeroplan”, tha ai duke theksuar se liberalizimi i vizave është realitet i prekshëm për qytetarët.
Mirëpo reagimi i LDK-së nuk vonoi. Deputetja Jehona Lushaku e akuzoi Muratin dhe Vetëvendosjen se po marrin merita që nuk u takojnë duke kujtuar rolin e VV-së në kundërshtimin e demarkacionit me Malin e Zi, kushti i fundit që sipas saj e mbajti Kosovën të izoluar një dekadë.
“Ju e keni kallë shtetin me protesta, gaz në Kuvend e molotov duke ndërtuar kauza të rrejshme për pushtet. Radhët e gjata para ambasadave kanë qenë prej jush”, deklaroi Lushaku.
Ajo po ashtu akuzoi Qeverinë Kurti për vendosjen e Kosovës nën sanksione dhe për humbjen e rreth 1 miliard eurove asistencë ndërkombëtare, të cilat sipas saj do të mundësonin ndërtimin e shumë shkollave, rrugëve dhe projekteve të tjera zhvillimore.
“Po krenohesh me punën e të tjerëve sepse nuk ke çka të tregosh nga qeverisja jote”, theksoi Lushaku duke paralajmëruar se qytetarët “do t’i ndëshkojnë rëndë më 28 dhjetor”. /Kosova.info/
