LDK nis mobilizimin kombëtar: Abdixhiku premton fushatë të bashkuar dhe qeverisje të matur për Kosovën

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar fillimin zyrtar të mobilizimit për fushatën zgjedhore, me një takim pune të mbajtur në selinë qendrore të partisë, ku kryetari Lumir Abdixhiku u bashkua me kryetarët e degëve dhe kryetarët e komunave të udhëhequra nga LDK.

Takimi, i përshkruar si dinamik dhe i mbushur me energji pozitive, u fokusua në koordinimin e strukturave, harmonizimin e agjendës elektorale dhe përgatitjen e ekipit për angazhim në terren në çdo qytet, fshat e lagje të vendit.

Abdixhiku theksoi se LDK është më e organizuar se kurrë dhe se strukturat e partisë po hyjnë në këtë proces të vendosura që t’i ofrojnë Kosovës “qeverisje të drejtë, institucione funksionale dhe politikë të matur që i shërben qytetarëve”.

“Ndjenja e gatishmërisë mes strukturave tona është ajo që duhet; e fortë, e sinqertë dhe plot motivim. Secili prej tyre e di peshën e këtij momenti. Kosova ka nevojë për normalitet, për stabilitet, për zhvillim—dhe mbi të gjitha, për shpresë,” u shpreh kreu i LDK-së.

Ai shtoi se fushata do të zhvillohet me dinjitet, me punë të organizuar dhe me synim të qartë për rezultat duke theksuar se LDK e ka nisur këtë betejë si ekip dhe do ta përfundojë po ashtu si ekip.

Në përmbyllje të deklaratës së tij, Abdixhiku i bëri thirrje qytetarëve që të zgjedhin shpresën duke nënvizuar moton e fushatës: “Shpresë ka. Zgjidheni atë!” #LDK123 /Kosova.info/

Go to TOP