Muharremi: Nuk jam lobist i LDK-së, përkrahja ime është profesionale dhe patriotike
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar duke sqaruar se nuk është lobist i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe se asnjëherë në jetën e tij nuk ka marrë para për të lobuar për ndonjë parti politike. Ai theksoi se qëndrimet e tij janë të bazuara në bindje profesionale dhe patriotike, të cilat i shpreh hapur, pa asnjë rezervë.
Muharremi theksoi se aktualisht e përkrah ndryshimin e drejtimit politik dhe ekonomik të Kosovës dhe vlerëson se vendi ka nevojë për korrigjimin e qeverisjes aktuale të LVV-së. Për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ai deklaroi se mbështet kandidaturën e Bedri Hamzës për kryeministër, jo për mungesë cilësie te Lumir Abdixhiku, por për arsye që lidhen me “qetësi, stabilitet, funksionalitet dhe siguri”, të cilat ai i sheh si prioritete urgjente pas një periudhe të gjatë krizash.
Sipas tij, Bedri Hamza është profili i duhur për të udhëhequr Kosovën në këtë moment të ndjeshëm politik e ekonomik. Muharremi po ashtu vlerësoi se lista e LDK-së është “më e forta dhe më kompetentja” në këto zgjedhje duke theksuar se dhjetëshja e parë e kësaj liste është e pakalueshme nga asnjë subjekt tjetër sa i përket kualitetit dhe profesionalizmit.
Ai publikoi listën e 10 kandidatëve të parë të LDK-së duke veçuar faktin se numri 10, Uke Rugova, është sipas tij “trashëgimtar i Ibrahim Rugovës”, një simbolikë e rëndësishme për shumë votues të kësaj partie:
1. Lumir Abdixhiku; 2. Kujtim Shala; 3. Hykmete Bajrami; 4. Doarsa Xhelili; 5. Lutfi Haziri; 6. Avdullah Hoti; 7. Anton Quni; 8. Jehona Lustaku; 9. Ferid Agani dhe 10. Uke Rugova.
Në përfundim, Muharremi e quajti këtë ekip si kombinimin më të duhur për t’i dalë në ndihmë Kosovës në një periudhë që ai e konsideron dramatike për vendin, duke theksuar se vendi ka nevojë për përvojë, profesionalizëm dhe lidership të përgjegjshëm. /Kosova.info/
