Astrit Desku i bashkohet LDK-së: Abdixhiku mirëpret njërin nga ekspertët më të fuqishëm të teknologjisë në vend

Lidhja Demokratike e Kosovës ka prezantuar sot aderimin më të ri në radhët e saj, Astrit Deskut, një nga emrat më të respektuar të teknologjisë dhe inovacionit në Kosovë. Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka mirëpritur atë si pjesë të listës zgjedhore duke e cilësuar afrimin e tij si një vlerë të jashtëzakonshme për partinë dhe për vendin.

Astrit Desku vjen me një profil të pasur akademik e profesional. I diplomuar me doktoratë në shkenca kompjuterike, me studime ndërkombëtare dhe një varg të gjerë certifikimesh profesionale, ai është pozicionuar prej vitesh si një prej ekspertëve më të spikatur të fushës së ICT-së në Kosovë. Gjatë karrierës së tij, ka udhëhequr ekipe të mëdha, ka realizuar projekte të rëndësishme teknologjike dhe aktualisht drejton zhvillimin e softuerit në një nga kompanitë më të fuqishme të sektorit.

Veç angazhimit profesional, Desku është edhe ligjërues universitar duke kontribuar në përgatitjen e gjeneratave të reja në teknologji. Abdixhiku theksoi se ai i bashkohet LDK-së si njeri i punës, integritetit dhe dijes, profile që i nevojiten vendit në rrugën drejt përparimit digjital.

Aderimi i Deskut, sipas kryetarit të LDK-së, është një sinjal i qartë se partia po afron profesionistët më të mirë të Kosovës duke forcuar listën e saj me njerëz që sjellin kompetencë të vërtetë, vizion të ri dhe kapacitete reale për zhvillim.

“Mirë se vjen në ekip, Astrit Desku,” u shpreh Abdixhiku duke i uruar shëndet, suksese dhe një rrugëtim të mbarë në këtë angazhim të ri publik. /Kosova.info/


Go to TOP