Adriatik Kelmendi shpërthen ndaj reagimeve selektive në politikë: Hipokrizi dhe dyfytyrësi katastrofale
Analisti dhe moderatori Adriatik Kelmendi ka reaguar ashpër ndaj asaj që e quan “hipokrizi të rëndë” dhe “dyfytyrësi politike” duke kritikuar ata që, sipas tij, reagojnë vetëm kur gjuha e urrejtës përdoret nga kundërshtarët e tyre, por heshtin kur e njëjta gjuhë përdoret nga politikanët që ata mbështesin.
Në një postim të gjatë, Kelmendi i ka quajtur “hipokritë”, “dyfytyrësh” dhe “kalkulantë” të gjithë ata që, sipas tij, mbajnë standarde të dyfishta në dënimin e gjuhës fyese në skenën politike të Kosovës.
“Nuk mundesh me u zgërdhi dhe me e përkrahë Albin Kurtin kur e quan krejt opozitën ‘kafshë’, dhe me reagu kur një politikan tjetër (Samiu) i thotë një politikaneje ‘kudër’. Ose reago për të dyja, ose mbylle gojën, o hipokrit!” ka shkruar ai.
Kelmendi gjithashtu përmendi rastet kur gazetarët janë quajtur “vrasës me pagesë” nga zyrtarë politikë, apo kur një politikan apo politikane përdor gjuhë seksiste ndaj kolegëve të tyre duke theksuar se reagimet në këto raste shpesh varen nga përkatësia partiake e personit që flet.
“Krejt kjo gjuhë është e papranueshme, rrjedhimisht e dënueshme! Sa të mjerë po dukeni me reagime selektive dhe kalkulime zgjedhore! Katastrofë!” përfundon reagimi i tij. /Kosova.info/
