OEK reagon ndaj deklaratave të Artane Rizvanollit: Kërkon prova deri më 8 dhjetor, përndryshe paralajmëron padi për shpifje

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka reaguar ashpër pas deklarimeve të ish-ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila sot para mediave e ka përmendur OEK-un si “akter politik opozitar” duke pretenduar se kjo organizatë ka dekurajuar biznese që të aplikojnë për skemat e granteve.

Në reagimin zyrtar, OEK ka cilësuar këto deklarime si të pabazuara, të dëmshme dhe të papranueshme duke theksuar se institucioni ka qenë për dekada partner konstruktiv i të gjitha qeverive, pa dallim politik. Sipas OEK-ut, gjatë gjithë viteve ky institucion ka inkurajuar vazhdimisht bizneset të aplikojnë në çdo skemë mbështetëse, përfshirë ato të granteve duke i konsideruar si mekanizma kyç për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë.

OEK ka theksuar se ka qenë promovuesi kryesor i informimit të bizneseve për mundësitë financiare dhe institucionale duke e konsideruar çdo pretendim të kundërt si tentativë për të njollosur reputacionin e institucionit. Sipas tyre, sulme të tilla të pabaza vijnë pikërisht në kohën kur roli dhe ndikimi i OEK-ut në zhvillimin ekonomik të vendit mbetet i fuqishëm dhe konstruktiv.

Në reagim, OEK i kërkon ish-ministres Rizvanolli që deri të hënën, më 8 dhjetor 2025, të paraqesë prova konkrete dhe të verifikueshme lidhur me pretendimet e saj. Në të kundërtën, OEK paralajmëron inicimin e procedurave ligjore për shpifje dhe dëmtim të reputacionit institucional.

Gjithashtu, OEK e kujton ish-ministren se duhet të japë llogari për dëmet që, sipas tyre, u janë shkaktuar bizneseve nga futja e papërgatitur dhe e njëanshme në tregun e lirë të energjisë – proces që ka sjellë vështirësi të theksuara financiare dhe operacionale për shumë ndërmarrje vendore.

Oda Ekonomike e Kosovës rithekson përkushtimin e saj për të vepruar profesionalisht, në mënyrë të pavarur dhe apolitike duke mbrojtur interesat e komunitetit të biznesit dhe ekonomisë së vendit, në përputhje me pritjet e anëtarëve dhe publikut. /Kosova.info/


Go to TOP