LDK nënshkruan marrëveshje parazgjedhore me AKR-në dhe PD-në
Abdixhiku paralajmëron “frontin e përgjegjësisë” për zgjedhjet e 28 dhjetorit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar sot nënshkrimin e marrëveshjeve parazgjedhore me Aleancën Kosova e Re (AKR) dhe Partinë e Drejtësisë (PD) duke e cilësuar këtë bashkim si një hap të natyrshëm mes forcave që besojnë në shtet, ligj, zhvillim dhe orientim të qartë euroatlantik.
Sipas marrëveshjes, Partia e Drejtësisë do të garojë me dy kandidatë në listën e LDK-së, ndërsa AKR me tre kandidatë. Abdixhiku tha se ky koalicion synon të ndërtojë një “front të përgjegjësisë” për zgjedhjet e 28 dhjetorit, i cili do të përqendrohet në qeverisje të mirë, rikthimin e funksionimit institucional, transparencë, zhvillim ekonomik dhe vlerësim meritokratik.
Kreu i LDK-së theksoi se partia e tij dhe partnerët e rinj ndajnë vlera të përbashkëta pro-perëndimore dhe besimin se Kosova ka nevojë për një qeveri stabile, të urtë dhe me vizion. Ai u shpreh se ky bashkim është i orientuar drejt përshpejtimit të integrimit në BE, NATO dhe OKB, si dhe forcimit të partneritetit të përhershëm strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Abdixhiku theksoi se ky koalicion është pjesë e përpjekjes së LDK-së për të ndërtuar një shumicë të re politike “që e nxjerr vendin nga kriza, e hap zhvillimin, e kthen shpresën dhe e udhëheq Kosovën me maturi e dinjitet”.
“Jemi duke u bashkuar, jemi duke u forcuar, jemi duke e ndërtuar fitoren,” deklaroi Abdixhiku duke shtuar se Kosova ka nevojë për përgjegjësi, për shpresë dhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës. /Kosova.info/
