Abdixhiku në Deçan: Mehmet Bojku nuk është vetëm kujtim – ai mbetet në themelin e Kosovës
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë sot në akademinë përkujtimore në Deçan, ku iu dha lamtumira e fundit Mehmet Bojkut, kryetarit të parë të Komunës së Deçanit pas luftës dhe një figure të rëndësishme të rezistencës dhe shtetndërtimit.
Në një fjalim të mbajtur para familjarëve, bashkëveprimtarëve dhe qytetarëve të Dukagjinit, Abdixhiku e përshkroi Bojkun si një burrë që nuk u kujtua vetëm për jetën e tij, por që mbetet përjetësisht në historinë e Kosovës.
“Ka njerëz që vdesin. Ka njerëz që kujtohen. Dhe ka njerëz që mbeten. Mehmet Bojku është i treti,” tha Abdixhiku duke theksuar se ai mbetet në historinë e Deçanit, në ndërgjegjen e Dukagjinit, në themelin e Kosovës dhe në trashëgiminë e LDK-së.
Abdixhiku kujtoi jetën dhe veprën e Bojkut duke nisur nga vitet e hershme të rezistencës, burgosja politike, roli i tij gjatë luftës në krah të UÇK-së së Dukagjinit, e deri te përgjegjësia që mori menjëherë pas çlirimit, kur u bë kryetari i parë i Deçanit në një periudhë të vështirë dhe plot sfida.
Sipas tij, Mehmeti ishte njeri i fjalës së urtë dhe i veprës së qetë, një lider që nuk ngrinte tensione, por ura bashkimi; një njeri që nuk kërkonte privilegje, por shërbim; që nuk e kërkonte pushtetin për vete, por për t’u shërbyer njerëzve.
“Mehmeti ishte shembull i njeriut që nuk e ngrit zërin për t’u dëgjuar, sepse e dëgjonte pesha e karakterit të tij,” tha Abdixhiku. Ai shtoi se Bojku ishte një prej shtyllave morale të LDK-së, pjesë e brezit të politikanëve që shihnin politikën si mision dhe jo si përfitim.
Kryetari i LDK-së u shpreh se dhimbja e humbjes së Mehmet Bojkut është e përbashkët, por po aq e madhe është edhe krenaria për jetën që ai ndërtoi dhe shembullin që la pas.
“Sot nuk po i japim lamtumirën një njeriu të zakonshëm, por një jete të ngritur mbi sakrificë. Lavdi jetës dhe veprës së Mehmet Bojkut. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës,” përmbylli Abdixhiku.
Mehmet Bojku do të mbetet në kujtesën e Deçanit dhe të Kosovës si figurë e maturisë, urtësisë, sakrificës dhe shërbimit ndaj vendit dhe qytetarëve. /Kosova.info/
