Lekaj-PShDK-së: E kthyen një parti të djathtë në degë të majtë – kapitullimi i tyre vjen më 28 dhjetor

Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar ashpër ndaj drejtimit aktual të Partisë Demokristiane duke e akuzuar se e ka larguar partinë nga vlerat e saj të djathta dhe e ka shndërruar në një “degë të majtë”, në kundërshtim me trashëgiminë politike të themeluesit të saj, Mark Krasniqi.

Lekaj deklaroi se udhëheqja e sotme e kësaj partie “as nuk i di e as nuk i kupton konceptet e drejtimeve politike” duke theksuar se pikërisht këta drejtues kanë shkatërruar një parti që dikur ishte simbol i proceseve të rëndësishme për vendin. Ai akuzoi se në krye të PDK-së (Partisë Demokristiane) kanë ardhur njerëz që “nuk ishin pjesë e asnjë procesi të mirë për vendin” duke e dëshmuar këtë sipas tij edhe përmes koalicionit me “të majtën ekstreme” në Kosovë.

Sipas Lekajt, ky koalicion tregon se interesat e kësaj udhëheqjeje janë të lidhura vetëm me “një grup klanor”, i cili, siç shprehet ai, po e çon një nga partitë e para shqiptare në Kosovë drejt fundosjes së plotë.

Ai u bëri thirrje anëtarëve, strukturave dhe mbështetësve të vlerave të djathta që të distancohen nga kjo udhëheqje dhe të bashkohen me projektet që mbrojnë vlerat kombëtare. “Të gjithë e dimë se ku janë ato vlera kombëtare,” u shpreh Lekaj duke lënë të nënkuptohet se ato gjenden në kampin politik ku ai bën pjesë.

Në fund, Lekaj paralajmëroi se “kapitullimi i tyre është sot dhe kjo do të vërtetohet më 28 dhjetor” duke iu referuar zgjedhjeve të ardhshme, ku sipas tij do të shihet qartë humbja e kësaj partie dhe ndëshkimi nga votuesit. /Kosova.info/

Go to TOP