Brezovica 2025: Ballkani, destinacion strategjik për investime

Me pjesëmarrje të gjerë rajonale dhe evropiane, Forumi Ekonomik i Brezovicës 2025 është përmbyllur me sukses duke konfirmuar rolin e tij si një ndër platformat më të rëndësishme të dialogut ekonomik në Ballkanin Perëndimor. Ngjarja u organizua nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me WB6 CIF dhe u vlerësua gjerësisht si forum me ndikim të veçantë për promovimin e potencialit ekonomik të rajonit.

I mbajtur në Brezovicë, një vend me rëndësi të theksuar historike dhe simbolike, forumi mblodhi përfaqësues të lartë nga institucionet evropiane dhe rajonale, përfshirë EUROCHAMBRES, Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) nga Sarajeva, si dhe delegacione nga odat ekonomike dhe bizneset e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

Tema qendrore “Ballkani si Mundësi” i kushtoi vëmendje të veçantë perspektivës së rajonit si hapësirë strategjike për investime të qëndrueshme dhe bashkëpunim ekonomik afatgjatë. Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e krijimit të një mjedisi më të integruar ekonomikisht, më konkurrues dhe më të hapur ndaj investitorëve ndërkombëtarë, veçanërisht në kontekstin e proceseve të afrimit me Bashkimin Evropian.

Një rol të veçantë në diskutime pati Banka Qendrore e Kosovës, e cila prezantoi prioritetet për modernizimin e sistemit financiar, rritjen e sigurisë dhe gjithëpërfshirjes financiare, si dhe krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm financiar për të gjitha ekonomitë e rajonit.

“Kjo ditë ka qenë e jashtëzakonshme për të promovuar Kosovën dhe rajonin. Brezovica është shndërruar në një platformë unike për të diskutuar potencialin real dhe hapat konkretë të Ballkanit,” deklaroi Lulzim Rafuna, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës.

Forumi u mbështet nga partnerët kryesorë: Banka Ekonomike, Siguria, Fondi Rajonal i Sfidave dhe HBC Coca Cola, të cilët dhanë kontribut të rëndësishëm në realizimin e këtij edicioni duke ndihmuar në ngritjen e standardeve të organizimit dhe promovimit ndërkombëtar.

Edicioni 2025 i Forumit Ekonomik të Brezovicës vulosi edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit rajonal si çelës për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe integrim të suksesshëm evropian. /Kosova.info/


Go to TOP