Gashi: Rikthimi i Memli Krasniqit në krye të shtabit – vendim i pashpjegueshëm që e rrezikon PDK-në me përçarje

Analisti politik Astrit Gashi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Kryesisë së PDK-së për t’ia besuar Memli Krasniqit udhëheqjen e Shtabit Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 28 dhjetorit duke e quajtur këtë lëvizje “politikisht të pashpjegueshme” dhe potencialisht të rrezikshme për partinë.

Sipas Gashit, Memli Krasniqi nuk ka qenë dhe nuk është figurë unifikuese brenda PDK-së. Ai thekson se mandati i tij si kryetar ka lënë pas një parti të fragmentuar, me struktura të brishta dhe me një bazë elektorale të pakënaqur – faktorë që, sipas tij, e bëjnë të pamundur që Krasniqi sot të paraqitet si simbol i bashkimit.

Gashi ngrit dyshime edhe për mënyrën si është marrë vendimi. Sipas tij, rikthimi i Memli Krasniqit në një rol kyç, ndonëse ai nuk është pjesë e listës zgjedhore, tregon vazhdimin e një logjike të vjetër brenda partisë: vendimmarrje e centralizuar nga një grup i ngushtë njerëzish, e njëjtë me atë që, sipas Gashit, e futi PDK-në në krizë. “Ky vendim i zë frymën PDK-së”, vlerëson ai.

Analisti e drejton kritikën edhe te vetë Kryesia e PDK-së, të cilën e quan “mercenare të zgjedhur nga Memli Krasniqi, pa bazë deleguese”. Sipas tij, përzgjedhja e tyre dhe vendimi i tanishëm vetëm sa e riprodhojnë problemin e brendshëm duke larguar më tej elektoratin tradicional të partisë.

Në momentin kur PDK sipas tij ka nevojë urgjente për figura të reja, energji të freskët dhe një mesazh të qartë ndryshimi, rikthimi i Memli Krasniqit në krye të shtabit zgjedhor shihet nga Gashi si hap i gabuar që mund të prodhojë përçarje masive. Ai paralajmëron madje se Bedri Hamza, me këtë vendim, “po nënshkruan fundin e vet politik” duke rrezikuar humbje në zona të rëndësishme ku votuesit e pakënaqur të PDK-së, sipas tij, mund të votojnë parti të tjera si formë proteste ndaj këtij drejtimi. /Kosova.info/

Go to TOP