Memli Krasniqi merr drejtimin e fushatës së PDK-së, heq dorë nga gara për deputet për t’u fokusuar te fitorja e 28 dhjetorit
Ish kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka njoftuar sot se, me vendim të Kryesisë së PDK-së, ka marrë përsipër detyrën e Shefit të Shtabit Qendror Zgjedhor duke udhëhequr fushatën e partisë drejt zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Krasniqi e ka vlerësuar këtë proces zgjedhor si një mundësi të rëndësishme për vendin që t’i kthehet normalitetit, stabilitetit dhe zhvillimit. Ai tha se PDK hyn në garë më e përgatitur dhe më e bashkuar se kurrë, me synimin për ta udhëhequr vendin drejt një të ardhmeje më të mirë.
Në njoftimin e tij, Krasniqi ka bërë të ditur edhe vendimin për të mos qenë pjesë e listës zgjedhore të PDK-së, pas shtatë mandateve si deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai theksoi se ky është një vendim i qëllimshëm, që i mundëson përkushtim të plotë organizimit të fushatës dhe mbështetjes së kandidatit të PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza.
“Do të jem tërësisht në shërbim të ekipit, të strukturave dhe të fitores sonë të përbashkët,” deklaroi Krasniqi duke shtuar se partia hyn në këtë betejë politike me besim dhe vendosmëri për të ofruar një udhëheqje më të mirë për qytetarët e Kosovës. /Kosova.info/
