LBK alarmon për krizën në kryeqytet: Bllokimi i buxhetit rrezikon qindra biznese në Prishtinë

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar nga bllokimi i buxhetit të Kryeqytetit duke e cilësuar atë një krizë të rrezikshme që po godet drejtpërdrejt sektorin privat dhe kompanitë që kanë kontrata aktive me Komunën e Prishtinës.

Sipas LBK-së, mosfunksionimi institucional dhe mosmarrëveshjet politike, si në nivel lokal, ashtu edhe qendror, kanë shkaktuar vonesa të mëdha në pagesa, pengesa në realizimin e projekteve dhe humbje financiare për qindra biznese. Organizata thekson se shumë kompani tashmë rrezikojnë stabilitetin operativ, ndërkohë që çdo ditë e bllokadës rëndon edhe më shumë mbi punëtorët dhe ekonominë e vendit.

“Inati politik nuk guxon të jetë mbi interesin publik dhe as mbi fatin e kompanive që kontribuojnë çdo ditë në zhvillimin ekonomik të Kosovës,” thuhet në reagimin e LBK-së, e cila fton institucionet të braktisin konfliktet dhe të fokusohen në zgjidhjen e kësaj situate emergjente.

LBK kërkon nga institucionet qendrore dhe ato lokale që të ulen urgjentisht së bashku dhe të gjejnë një zgjidhje funksionale, në mënyrë që investimet, pagesat dhe projektet e kontraktuara të mos mbeten peng i kalkulimeve politike.

“Çdo ditë e humbur është një humbje e madhe për bizneset, punëtorët dhe zhvillimin ekonomik të vendit,” vazhdon reagimi, ndërsa Lidhja e Bizneseve të Kosovës rikonfirmon përkushtimin e saj për të mbrojtur interesin e komunitetit të biznesit dhe thërret për përgjegjësi institucionale në plan të parë. /Kosova.info/


Go to TOP