Mitingu i poezisë në Gjakovë, shpërblehen Frrokaj, Bardhi dhe Fazliu
Gjakova mblodhi poetë, shkrimtarë e adhurues të fjalës së shkruar, në mitingun e poezisë. Çmimi “Ali Podrimja” për poezinë më të mirë i takoi poetit Eduard Frrokaj, ndërsa me çmimin “Yllka Domi” u nderuan Nita Bardhi dhe Hyrë Fazliu.
Me temën e Tribunës “Letërsia pasqyrim i kohës moderne” i ka filluar punimet Mitingu i 61 i poezisë në Gjakovë, e ku morën pjesë shumë poetë, shkrimtarë dhe adhurues të fjalës së shkruar.
“Letërsia vazhdon të ketë fuqinë e rrallë për të ndalur kohën për të na bërë që ta shohim atë sa më qartë. Sot njeriu modern jeton në mes dy botëve asaj fizike dhe asaj digjitale. Pikërisht këtë dualitet e kap letërsia bashkëkohore nga romani që trajton izolimin urban deri te tregimet që merren me identifikimin e fragmentuar në epokën e rrjeteve sociale. Shkrimtarët modern janë bërë kronikantë të jetës së përditshme, ata deshofrojnë tensionin në mes njeriut dhe teknologjisë, mes privatësisë dhe ekspozimit, mes traditës dhe globalizmit dhe në këtë kuptim letërsia nuk ndjek vetëm rrjedhën e kohës por ajo e kritikon, e pranon e sfidon dhe mundohet ta tejkalojë atë”, tha Migena Arllati, ligjëruese.
Ndryshe nga herat e kaluara ky miting i cili tradicionalisht bashkon poetë e shkrimtarë nga e gjithë gjeografia shqiptare kësaj radhe ishte më i zbehtë edhe për shkak të përkrahjes së pamjaftueshme të institucioneve, thonë organizatorët e tij.
“Falë krijuesve, falë publikut dashamirës të qytetit ne arritëm që ta mbajmë kundrejt përkrahjeve tepër simbolike dhe mirë është që është shënuar, mirë që nuk është këputur por të urojmë që mitingjet e ardhshme të përkrahjen, të buxhetohen, sepse ne ofrohemi në mënyrë vullnetare dhe këtë aset letrar mos t’ia shuajmë qytetit tonë me të cilin identifikohemi”, tha Muharrem Kurti, kryetar i KL “Gjon Nikollë Kazazi”.
“Ky miting nuk ka qenë thjeshtë një orë letrare, nuk është as sot, edhe sot e merr qëllimin e realizmit. Kështu edhe do të mbetet do ta ruajmë atë bërthamën e nisur, veç sa e kemi rritur, do të rritet dhe kurrë mos u zvogloftë, as mos u shoftë”, tha Engjëll Berisha, organizator.
Në kuadër të aktiviteteve të këtij mitingu është përuruar libri më i ri i autorit Jusuf Buxhovi, “Udhëtimi në kohë” e po ashtu i deklamuan poezi nga poetët e pranishëm.
Nga juria profesionale e mitingut për poezinë më të mirë, çmimi “Ali Podrimja” i takoi poetit Eduard Frrokaj, ndërsa çmimi “Yllka Domi” ua takoi poeteve Nita Bardhi dhe Hyrë Fazliu.
