Murati akuzon LDK-në: Dezinformojnë për buxhetin e Prishtinës, por munguan në votim

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas seancës së Kuvendit të thirrur sot në orën 11:00, ku ndër pikat e rendit të ditës ishte edhe miratimi i buxheteve komunale për Prishtinën, Gjilanin dhe Zubin Potokun.

Murati ka kritikuar ashpër deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës duke thënë se Lumir Abdixhiku dhe grupi i tij parlamentar “as nuk u lodhën të marrin pjesë në seancë”, pikërisht në momentin kur duhej të votohej buxheti i Kryeqytetit.

Sipas tij, deputetët e LDK-së, të cilët ditëve të fundit kanë qenë të zëshëm në kritikat dhe deklaratat lidhur me buxhetin e Prishtinës, sot “nuk u paraqitën fare kur patën mundësinë ta përkrahin”.

“E njëjta parti që poshtë e lartë dezinformon për buxhetin e Prishtinës, sot nuk e pa të arsyeshme të vijë në seancë dhe të votojë. A thua pse?”, ka shkruar Murati duke lënë të nënkuptohet se mungesa e tyre është politike dhe jo parimore.

Seanca ka dështuar të përmbyllet me miratimin e buxheteve komunale për shkak të mungesës së kuorumit, ndërsa pritet të thirret një tjetër mbledhje në ditët në vijim. /Kosova.info/


Go to TOP