BE dhe KiE riafirmojnë mbështetjen për Kosovën: Fokus në të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë

Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës kanë konfirmuar sërish mbështetjen e tyre të vazhdueshme për autoritetet e Kosovës në avancimin e reformave thelbësore që lidhen me forcimin e të drejtave të njeriut, sundimin e ligjit dhe demokracinë. Kjo mbështetje realizohet përmes programit të përbashkët “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.

Në Prishtinë u mbajt takimi i Komitetit Drejtues të Përfituesve të këtij programi, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve kryesore vendore, partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile. Qëllimi i takimit ishte shqyrtimi i progresit të bërë deri më tani dhe identifikimi i prioriteteve për bashkëpunimin e ardhshëm.

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e mbështetjes së mëtejshme për institucionet kosovare në fushat kyçe që lidhen me drejtësinë, të drejtat themelore dhe forcimin e mekanizmave demokratikë. Programi vazhdon të shërbejë si një platformë e rëndësishme për koordinimin e iniciativave reformuese dhe rritjen e kapaciteteve institucionale duke synuar të forcojë proceset evropiane në vend.

Pjesëmarrësit u dakorduan se bashkëpunimi mes BE-së, KiE-së dhe institucioneve vendore mbetet thelbësor për të siguruar progres të qëndrueshëm dhe për të përmirësuar standardet demokratike në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP