Përurohet udhëzuesi për raportimin e aftësisë së kufizuar në media
Sot në Prishtinë, u bë përurimi i udhëzuesit për raportimin e personave me aftësi të kufizuara në media në Kosovë, një dokument i cili synon të vendosë standarde të reja profesionale në mënyrën se si mediat trajtojnë dhe paraqesin këtë komunitet.
“Ky doracak, që hartohet për herë të parë në Kosovë, është një ndihmesë për punën e mediave në raportimin për personat me aftësi të kufizuara dhe ndihmon raportimin pozitiv, terminologjinë, fjalorin joofendues, promovimin e qasjes pozitive, gjithpërfshirjes dhe portretizimin sa më të mirë jodiskriminues për personat me aftësi të kufizuara”, thuhet në njoftim.
Doracaku është hartuar nga Enver Ulaj, ndërsa projekti është përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Suedia. Ai përmban udhëzime mbi rolin e medias, qasjet që ka media ndaj aftësisë së kufizuar, udhëzimet për gazetarët që trajtojnë këtë sektor dhe një fjalor të terminologjisë së duhur pozitive dhe joofenduese në gjuhën shqipe.
“Jo vetëm qasje nënçmuese, por në shumë raste edhe qasja mëshiruese, emocionale dhe ekzagjeruese janë poashtu të dëmshme për paraqitjen e personave me aftësi të kufizuara”, thuhet në njoftim. Po ashtu, u theksua se paraqitja e tyre vetëm në ditët përkujtimore apo vetëm kur trajtohen tema që lidhen drejtpërdrejt me ta, “është një tjetër formë e injorimit dhe shkon në dëm të përfshirjes sociale të këtij komuniteti”.
“Media luan një rol të rëndësishëm në shoqëri, në informim, vetëdijesim por edhe në krijimin e normave dhe vlerave që ka çdo shoqëri. Mënyra se si na paraqet media, ndikon edhe në krijimin e qëndrimit që mban shoqëria, normat që ka ajo dhe në pranueshmërinë e saj”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se pamja që media ia paraqet publikut për personat me aftësi të kufizuara (PAK) është edhe një tregues se si ata pranohen në shoqëri dhe se sa shoqëria ndjen për ta. Fjalët që përdor media, qasja, imazhet, temat që ajo ngrit, e krijojnë perceptimin e mirë ose të keq nga publiku..
Hartuesi mes tjerash ka potencuar se media luan një rol të rëndësishëm në krijimin e një qasje pozitive ndaj personave me aftësi të kufizuara, për largimin e stigmës dhe keqkuptimeve, dhe përmes ngritjes së vetëdijes, në mobilizimin dhe krijimin e një sfondi pozitiv mbështetës, që e ndihmon integrimin e tyre në shoqëri. /Kosova.info/
