Fillon numërimi i votave me postë

Ka filluar procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura përmes postës nga jashtë Kosovës, që i takojnë raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se gjatë ditës së premte është përmbyllur vlerësimi i 12,018 pakove me fletëvotime të pranuara deri më tani, nga të cilat janë aprovuar 8,932 dhe janë refuzuar 3,086.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka theksuar se shkaku më i shpeshtë i refuzimit është mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument unik që votuesi i regjistruar e merr nga KQZ-ja, e cila ka munguar në 3,009 raste.

Njoftohet se për shkak të largësisë, 519 pako nga kutitë postare në SHBA, Kanada dhe Australi ende nuk kanë arritur në Kosovë; vlerësimi dhe numërimi i tyre do të kryhet sapo të pranohen.

“Më 11 dhe 12 nëntor janë tërhequr gjithsej 13,084 pako të supozuara me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të botës, ndërsa numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës për këto 18 komuna është 29,752”, thekson zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Pas përfundimit të numërimit, rezultatet do të publikohen në platformën elektronike të KQZ-së. Në këtë platformë tashmë janë të publikuara edhe rezultatet nga numërimi i rreth 750 zarfeve me fletëvotime me kusht dhe 1,441 fletëvotimeve nga votimi i personave me nevoja të veçanta.


Go to TOP