Nagavci e indinjuar: Fëmija serb i mohohet regjistrimi në shkollë në Graçanicë

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar me indinjatë ndaj rastit të raportuar në komunën e Graçanicës, ku një fëmijë nga komuniteti serb nuk është lejuar të regjistrohet në shkollën publike të zonës ku jeton, për shkak se familjes së tij i është ndërtuar një shtëpi nga Qeveria e Kosovës.

Nagavci e cilësoi këtë veprim si të papranueshëm dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Konventën për të Drejtat e Fëmijës, veçanërisht nenet 2 dhe 28, të cilat garantojnë mbrojtje nga çdo formë diskriminimi dhe qasje të barabartë në arsim për çdo fëmijë, pavarësisht prejardhjes apo statusit social.

Ajo theksoi se shkelja është po ashtu në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, konkretisht Nenin 47, që garanton të drejtën për arsim. Po ashtu, Ministrja përmendi nenet 3 dhe 40 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar, të cilat ngarkojnë institucionet me detyrimin për të siguruar një sistem arsimor gjithëpërfshirës dhe pa diskriminim. Sipas saj, pengimi i regjistrimit përbën shkelje të qartë edhe të Ligjit kundër Diskriminimit Nr. 05/L-021.

“Kërkoj nga autoritetet lokale që urgjentisht të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të mundësuar regjistrimin e fëmijës dhe vijimin e rregullt të mësimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me parimin e interesit më të mirë të fëmijës,” deklaroi Nagavci.

Ministrja nënvizoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar që çdo fëmijë, pa dallim etnie apo prejardhjeje, të ketë qasje të plotë, të barabartë dhe të sigurt në sistemin arsimor duke e konsideruar këtë rast si një shkelje të papranueshme që kërkon reagim të menjëhershëm institucional. /Kosova.info/

Go to TOP