Kryeziu: Demokracia në parti nis nga brenda – Gara Hamza & Hoxhaj e shëndetshme për PDK-në

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike të Kosovës, ku pritet të garojnë për kryetar Bedri Hamza dhe Enver Hoxhaj. Ai thekson se demokratizimi i partive politike nuk është vetëm interes i anëtarësisë, por i gjithë shoqërisë.

Sipas Kryeziut, sa më transparente dhe konkurruese të jenë proceset e brendshme, aq më i fortë bëhet sistemi politik i vendit. Ai shton se zgjedhja e lidershipit, hartimi i programeve dhe mënyra e vendimmarrjes janë elemente kyçe që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e demokracisë.

“Konventat e partive politike, si ajo e PDK-së apo e cilësdo parti tjetër, nuk janë vetëm çështje të brendshme. Ato janë ngjarje me rëndësi publike, sepse partitë janë institucione kyçe të sistemit demokratik,” u shpreh Kryeziu.

Ai e vlerëson si zhvillim të mirë faktin që brenda PDK-së ka më shumë se një kandidaturë. Sipas tij, gara mes Bedri Hamzës, Enver Hoxhajt apo kujtdo tjetër që synon të kandidojë, nuk e dëmton partinë, por i jep vlerë dhe legjitimitet procesit.

“Vetëm gara dhe konkurrenca e hapur e forcojnë subjektin politik dhe e bëjnë më demokratik, më të përgjegjshëm dhe më me vlerë për publikun,” theksoi ai.

Kryeziu apelon që partitë politike të kultivojnë procese të hapura e meritokratike duke theksuar se demokratizimi i brendshëm është themeli i një demokracie funksionale në vend. /Kosova.info/

Go to TOP