Prishtina shënon Ditën Botërore të Diabetit: Ligjërata, matje falas dhe përurimi i zyrës së re për pacientët me Diabet Tip 1

Komuna e Prishtinës, përmes Drejtorisë së Shëndetësisë të udhëhequr nga Izet Sadiku, ka organizuar sot një sërë aktivitetesh sensibilizuese në kuadër të Ditës Botërore të Diabetit, e cila këtë vit vjen me moton “Diabeti nëpër stadet e jetës”.

Aktivitetet nisën në QKMF, ku në bashkëpunim me profesionistë të Klinikës së Endokrinologjisë, u mbajt një ligjëratë informuese për qytetarët. U trajtuan temat kyçe të parandalimit, diagnostikimit të hershëm dhe menaxhimit të diabetit, me synim rritjen e ndërgjegjësimit për këtë sëmundje që prek mijëra qytetarë çdo vit.

Pjesë e agjendës ishte edhe një aktivitet në shesh, ku qytetarëve iu ofruan matje falas të nivelit të sheqerit, këshilla profesionale dhe materiale informuese. Drejtoria theksoi se këto shërbime janë jetike për të nxitur kulturën e kontrollit të rregullt dhe parandalimit.

Një moment i veçantë i ditës ishte përurimi i zyrës së re të Shoqatës së personave me diabet Tip 1 “Tip1Omël”. Hapja e kësaj zyre synon të forcojë kapacitetet e mbështetjes, edukimit dhe advokimit për personat me diabet Tip 1 dhe familjet e tyre. Shoqata pritet të shërbejë si pikë referimi për komunitetin, me fokus në qasjen në informim, pajisje dhe kujdes cilësor.

Drejtori i Shëndetësisë, Izet Sadiku, u shpreh se Komuna e Prishtinës do të vazhdojë të investojë në projekte që rrisin vetëdijen dhe qasjen në shërbime shëndetësore duke forcuar bashkëpunimin me profesionistët dhe organizatat partnere.

Aktivitetet e sotme u vlerësuan si një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të edukimit shëndetësor dhe mbështetjes për personat që jetojnë me diabet në kryeqytet. /Kosova.info/

Go to TOP