Zogaj: Kurti po kërkon votat e opozitës për “gomën rezervë”, Konjufcën – një marrëveshje pa dinjitet politik

Analisti Petrit Zogaj ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit politike duke komentuar kërkesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që partitë opozitare të votojnë Glauk Konjufcën për të vazhduar mandatin e tij si kryetar kuvendi deri në muajin prill.

Zogaj e cilëson këtë kërkesë si të pazakontë dhe të paprecedentë në raportet politike duke thënë se Kurti po u kërkon partive opozitare të mbështesin “gomën e tij rezervë”, vetëm për disa muaj kohë, me qëllim që të ndërtohet një narrativë politike që i shkon në favor Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, elementi më i çuditshëm në këtë situatë është gatishmëria e Glauk Konjufcës për të pranuar një rol pa dinjitet politik, vetëm për të shërbyer në funksion të strategjisë së Kurtit. “Konjufca është i gatshëm me e shtri kurrizin pa pikë dinjiteti përballë Kurtit, vetëm që këtij të fundit t’i krijohet narrativi i një viktime që prapë duhet të kthehet në pushtet”, ka theksuar Zogaj.

Analisti thotë se një marrëveshje e tillë, nëse ndodh, bie ndesh me parimet e barazisë politike dhe me logjikën e ndarjes së pushteteve, ndërsa vlerëson se opozita duhet të ruajë koherencën dhe parimet e saj para se të hyjë në çfarëdo kombinimi që riformulon pushtetin e VV-së.

Reagimi i Zogajt vjen në një moment të tensionuar politik, ku palët po kërkojnë konfigurime të reja për periudhën para zgjedhjeve të reja parlamentare. /Kosova.info/


Go to TOP