Hungaria sfidon në gjykatë planin e BE-së për heqjen e energjisë ruse
Hungaria do të sfidojë planin e Bashkimit Evropian për t’i dhënë fund importeve të energjisë ruse dhe do ta çojë çështjen në një gjykatë të BE-së, deklaroi të premten kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán.
Duke folur në radion shtetërore, Orbán akuzoi bllokun evropian se po përpiqet t’i shmanget fuqisë së vetos së Hungarisë mbi sanksionet kundër energjisë ruse, duke përdorur në vend të tyre rregullat e tregtisë në planin e tij për të hequr gradualisht të gjitha importet e naftës dhe gazit rus deri në fund të vitit 2027, raporton AP.
“Ne do t’i drejtohemi Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian për këtë çështje,” tha Orbán të premten. “Kjo është një shkelje flagrante e ligjit evropian, sundimit të ligjit dhe bashkëpunimit evropian… Ata do të paguajnë një çmim shumë të lartë për këtë”, theksoi ai.
Hungaria mbetet shumë e varur nga lëndët djegëse fosile ruse dhe ka kërkuar përjashtime dhe ka kërcënuar me veto ndaj sanksioneve të BE-së që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska në vitin 2022. Gjatë një vizite në Uashington javën e kaluar, Orbán siguroi një përjashtim nga sanksionet amerikane për dy kompani ruse të energjisë pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Donald Trump.
Shumë zyrtarë amerikanë kanë thënë se përjashtimi, i cili siguron që nafta dhe gazi rus të vazhdojnë të rrjedhin drejt Hungarisë, do të zgjasë një vit, megjithëse Orbán ka këmbëngulur se ai është i pacaktuar në kohë. Të premten, Orbán e kreditoi marrëdhënien e tij personale të ngushtë me Trump-in për marrjen e këtij përjashtimi dhe tha se ai do të mbetet në fuqi sa kohë që të dy, ai dhe presidenti, të jenë në detyrë.
Orbán e ka quajtur qasjen e vazhdueshme ndaj energjisë ruse “jetike” për vendin e tij pa dalje në det dhe ka paralajmëruar se ndërprerja e saj do të sillte kolaps ekonomik, megjithëse disa kritikë e kundërshtojnë këtë pretendim.
Lideri hungarez tha të premten se ai “po eksploron gjithashtu mjete të tjera me natyrë jo juridike” për të shmangur përfshirjen në planin e BE-së për heqjen graduale të energjisë ruse, por nuk pranoi të thotë se cilat janë ato.
