Barliu paralajmëron PDK-në: Imponimi i Bedri Hamzës pa garë e çon partinë drejt humbjes së garantuar
Analisti politik Bleron Barliu ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Partisë Demokratike të Kosovës duke thënë se PDK po ecën drejt një “humbjeje të garantuar” nëse kryesia vazhdon me, siç e quan ai, “automatizmin politik” për të imponuar Bedri Hamzën si kryetar pa garë të hapur.
Barliu e krahason situatën me zhvillimet në SHBA, ku pas tërheqjes së Joe Biden nga gara, Partia Demokratike caktoi me nxitim Kamala Harris, një vendim që sipas tij përfundoi në një rezultat “katastrofal” përballë Donald Trump.
“E njëjta logjikë e mbyllur do ta fundosë PDK-në, nëse Bedri Hamza imponohet pa garë reale,” shkruan Barliu duke shtuar se partia duhet të çlirohet nga “oligokracia e brendshme” dhe të hapë një proces të mirëfilltë konkurrues.
Sipas tij, Hamza vetë duhet të thërrasë garë serioze, në mënyrë që të matet “në kuvend trimash, e jo ta marrë drejtimin me manovra të fshehta”. Barliu paralajmëron se një qasje e tillë vetëm sa do ta çonte partinë drejt humbjes së radhës përballë Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai thekson se PDK ka një sërë figurash që mund ta sfidojnë realisht Hamzën duke përmendur emra si Behrami, Gruda, Deliu, Çitaku, Aliu, Totaj, si dhe të tjerë që sipas tij mund të sjellin energji dhe besim të ri në parti.
Sipas Barliut, vetëm një garë e hapur dhe demokratike mund ta rikthejë PDK-në në shina dhe t’i ofrojë asaj mundësinë për një rezultat të denjë në zgjedhjet e ardhshme. /Kosova.info/
