AAK: Pa qeveri legjitime, nuk ka buxhet dhe vendimmarrje

Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka diskutuar sot zhvillimet politike në vend dhe përgatitjet për proceset e ardhshme, përfshirë zgjedhjet parlamentare, raporton Kosova.info.

AAK konsideron se gjendja aktuale në vend është alarmante, për shkak të mungesës së qeverisë legjitime dhe funksionimit të duhur të institucioneve duke theksuar se zgjidhja e vetme është organizimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Partia thekson se nuk do të marrë pjesë në asnjë proces që shkel Kushtetutën ose deformon rendin demokratik dhe kërkon që buxheti i ri të miratohet vetëm pas krijimit të Qeverisë së re me mandat të plotë.

AAK paralajmëron se nuk do të lejojë që Qeveria në detyrë të uzurpojë kompetenca që nuk i takojnë dhe se vendi ka nevojë për një buxhet të qeverisë legjitime. “Ne mbrojmë integritetin institucional dhe rendin kushtetues të Republikës. Kjo nuk është çështje teknike, por parimore: nuk ka buxhet pa Qeveri, nuk ka vendimmarrje pa mandat dhe nuk ka demokraci pa respektim të Kushtetutës”, thuhet në njoftim.

Kryesia e AAK-së vlerësoi suksesin në zgjedhjet lokale, ku partia doli fituese në pesë komuna – Gjakovë, Suharekë, Deçan, Rahovec dhe Klinë. Në këtë frymë, u miratuan kriteret për përpilimin e listës së kandidatëve për deputetë dhe nisja e përgatitjeve në nivel të degëve për zgjedhjet e ardhshme. /Kosova.info/

Go to TOP