KPK refuzon ankesën e Merita Kurtishi-Gakës dhe propozon lirimin e dy prokurorëve për pensionim

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur sot mbledhjen e 276-të të rregullt, nën drejtimin e kryesuesit Ardian Hajdaraj. Në fillim të mbledhjes, anëtarët miratuan procesverbalin e mbledhjes paraprake, të 275-tës me radhë.

Në vijim, Këshilli shqyrtoi ankesën e kandidates për anëtare prokurore të KPK-së nga radhët e prokurorive themelore, znj. Merita Kurtishi-Gaka, kundër njoftimit të Komisionit Zgjedhor të Këshillit. Pas analizimit të dokumentacionit përkatës, Këshilli mori vendim për refuzimin e kësaj ankese.

Gjatë mbledhjes, Këshilli u njoftua gjithashtu për arrijtjen e moshës së pensionimit të dy prokurorëve të Prokurorisë Themelore në Prizren – znj. Mehreme Hoxha dhe z. Genc Nixha. Me këtë rast, anëtarët e Këshillit shprehën mirënjohje të thellë për kontributin e tyre profesional dhe për vite të tëra të shërbimit në sistemin prokurorial. KPK vendosi që të dërgojë propozimin për lirimin e tyre nga detyra te Presidentja e Republikës së Kosovës.

Ndërkohë, Këshilli vendosi që trajtim i Raportit të Komisionit Zgjedhor për zhvillimin e zgjedhjeve për anëtarin prokuror të Këshillit nga radhët e prokurorive themelore, së bashku me disa pika të tjera të rendit të ditës, të shtyhet për mbledhjen e ardhshme.


Go to TOP