Hamza shpall kandidaturën për kryetar të PDK-së: Koha për një parti të bashkuar dhe një Kosovë evropiane

Bedri Hamza ka zyrtarizuar sot kandidaturën e tij për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) duke theksuar nevojën për unitet, reformë dhe rikthim të partisë si forca kryesore politike në vend.

Në fjalimin e tij para qytetarëve, anëtarëve dhe përkrahësve të PDK-së, Hamza tha se partia ka një trashëgimi historike që nga lufta për liri, shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.

“Me përgjegjësi dhe besim në të ardhmen e partisë sonë, e shpalli kandidaturën time për Kryetar të PDK-së. Unë besoj se PDK-ja ka forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend”, u shpreh Hamza.

Ai shprehu mirënjohje për themeluesit e PDK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin duke uruar që ata të kthehen së shpejti në mesin e qytetarëve të Kosovës.

“Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja”, shtoi ai.

Hamza falënderoi gjithashtu ish-kryetarët Enver Hoxhaj dhe Memli Krasniqi për kontributin dhe udhëheqjen e tyre në periudha sfiduese për partinë.

Në përfundim, kandidati për kryetar theksoi se është momenti për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një të ardhme evropiane për Kosovën.

“PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve”, përmbylli Bedri Hamza. /Kosova.info/

Go to TOP