Rita Ora dhe Yll Limani sjellin versionin e ri të këngës `All Natural`
Këngëtarja me famë botërore Rita Ora ka publikuar një version të ri të këngës së saj “All Natural”, këtë herë në bashkëpunim me këngëtarin nga Kosova Yll Limani, për një duet dygjuhësh që bashkon kontinente, kultura dhe identitete.
“All Natural” e Rita Orës me Yll Limanin vjen pas publikimit të versionit origjinal, të prodhuar nga fituesi i çmimit GRAMMY, Joel Little (Lorde, Sam Smith, Taylor Swift), i cili doli në shtator bashkë me videoklipin e realizuar nga fituesi i çmimit Oscar, Taika Waititi.
Në këngë, Yll Limani sjell një strofë të re në shqip, përpara se t’i bashkohet Ritës në refren në anglisht, duke i dhënë këngës më shumë thellësi dhe ndjeshmëri.
“Ylli dhe unë jemi të dy shqiptarë nga Kosova, dhe kjo lidhje është shumë e fortë – është në historitë tona, në familjet tona, në gjuhën tonë,” thotë Rita. “Të dëgjoja atë duke kënduar në shqip i dha këngës aq shumë autenticitet dhe shpirt. ‘All Natural’ ka qenë gjithmonë për të qenë vetvetja pa komplekse, por ky version ndihet edhe më personal. Është për identitetin, krenarinë dhe bukurinë e origjinës tënde.”
“Rita është një forcë e natyrës,” shton Ylli. “Të punosh me të është privilegj dhe një mësim mbi artin e të qenit autentik.”
Për Ritën – e cila u largua nga Kosova me prindërit në moshën njëvjeçare, pas persekutimit të shqiptarëve në vendin e saj – ky publikim shënon një tjetër moment krenarie në përkushtimin e saj të vazhdueshëm për të nderuar kulturën shqiptaro-kosovare.
Si Ambasadore Nderi e Kosovës, Rita së fundmi ka qenë producente ekzekutive dhe ka bërë një paraqitje të shkurtër në filmin The Palace of Youth (i publikuar gjatë verës), që vuri në qendër skenën muzikore underground të Kosovës. Tani, përmes bashkëpunimit me Yll Limanin, ajo vazhdon të promovojë shpirtin krijues të rajonit në një skenë globale.
“All Natural” e Rita Orës me Yll Limanin është një deklaratë e fuqishme identiteti, krenarie dhe lidhjeje, një festë e trashëgimisë kosovare dhe e lidhjes së përhershme mes muzikës dhe vendlindjes.
“All Natural” e Rita Ora-s me Yll Limanin tashmë është e disponueshme në të gjitha platformat digjitale.
