Policia e Kosovës dhe ajo e Kroacisë thellojnë bashkëpunimin reciprok
Delegacioni i Policisë së Republikës së Kosovës ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Drejtorinë e Policisë së Kroacisë më 5 dhe 6 nëntor, ku është mbajtur një takim pune ndërmjet Drejtorit të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Kroate, Nikola Milina, me bashkëpunëtorët e tyre.
Tema kryesore e takimit ishte bashkëpunimi i suksesshëm i deritanishëm ndërmjet dy policive, veçanërisht në fushat e policisë kriminale, themelore dhe kufitare, si dhe pjesëmarrja e Policisë së Kosovës në projektin kroat “Destinacion turistik i sigurt”.
Të dyja palët vlerësuan lart marrëdhëniet miqësore dhe profesionale që janë krijuar ndër vite duke theksuar se bashkëpunimi policor është në ngritje të vazhdueshme dhe po kontribuon në forcimin e sigurisë rajonale.
Gjatë takimit u diskutua edhe për mundësitë e reja të zgjerimit të bashkëpunimit në fusha të tjera me interes të përbashkët, në mënyrë që të përmirësohen më tej mekanizmat e ndarjes së informacionit, trajnimit dhe koordinimit në operacione ndërkufitare.
Të dy drejtuesit konfirmuan përkushtimin për vazhdimin e partneritetit dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar policor ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Policisë së Kroacisë. /Kosova.info/
