Mehmetaj: Sulmi me zollë në Kuvend ishte organizuar nga aktivistë të Vetëvendosjes – demarkimi me Malin e Zi mbeti i pandryshuar
Gazetari Lirim Mehmetaj ka rikujtuar sot ngjarjen e njohur të sulmit me zollë ndaj Kuvendit të Kosovës duke sqaruar arsyet dhe prapaskenat që qëndronin pas veprimeve të asaj kohe nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë opozitare.
“Sot shumë veta më pyetën pse Vetëvendosja e pati gjuajtur Kuvendin me zollë. Për ta përmbledhur shkurt: në atë kohë po bëhej demarkimi i kufirit me Malin e Zi. Një komision i Kosovës dhe një komision i Malit të Zi e bënë demarkimin, por Vetëvendosja dhe partitë tjera opozitare deklaronin se Qeveria e Kosovës qëllimisht po i falë tokë Malit të Zi”, shpjegoi Mehmetaj.
Sipas tij, për të kundërshtuar marrëveshjen, Vetëvendosja kishte krijuar një grup të quajtur “Rugovasit”, që në dukje paraqitej si një grup i qytetarëve të pakënaqur nga Rugova, por që në fakt, sipas hetimeve, ishte një identitet i rremë i përdorur për të marrë përgjegjësinë për sulmin në Kuvend.
“Policia e Kosovës, e ndihmuar nga FBI amerikane, kishte zbuluar se telefoni nga i cili ishte dërguar mesazhi që merrte përgjegjësinë për sulmin, ishte blerë në një mobi-shop në shesh nga aktivistja e Vetëvendosjes, Adea Batusha. Po me atë telefon ishte dërguar edhe e-maili kinse nga Rugovasit. Kur u kërkuan koordinatat nga Google, doli se vendi nga ishte dërguar mesazhi ishte banesa e aktivistit të Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi,” tha Mehmetaj.
Në përmbyllje, gazetari shtoi se pavarësisht veprimeve të asaj kohe, çështja e demarkimit me Malin e Zi sot mbetet e pandryshuar.
“Demarkimi i kufirit me Malin e Zi mbetet po ai që ishte. Albin Kurti, përkundër se ka ardhur në pushtet, nuk e ka kundërshtuar më dhe nuk ka biseduar për ridemarkim. Institucionet e të dy shteteve e kanë deklaruar tashmë se kjo çështje është e mbyllur,” përfundoi Mehmetaj. /Kosova.info/
