IKD: Presidentja duhet të bindet se kandidati për kryeministër i ka 61 vota
Sa i përket mandatimit të kandidatit të ri për kryeministër, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha se presidentja nuk ka “diskrecion të pakufizuar” në këtë drejtim.
“Bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese K0103/14, presidentja duhet të vlerësojë se cila është gjasa më e madhe që një parti politike ose koalicion të propozojë kandidatin për kryeministër, i cili do të marrë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë së re. Thënë më ndryshe, presidentja duhet të bindet se mandatari që cakton do të ketë votat e nevojshme në Kuvend për formimin e Qeverisë”, shkroi ai në Facebook.
Sipas tij, “bindja” mund të nënkuptojë se është arritur ndonjë koalicion, se kandidati i një partie ka siguruar vota edhe nga parti të tjera, duke deponuar dëshmi për këtë apo përmes dërgimit të një liste me 61 nënshkrime.
“Nëse në asnjë rrethanë presidentja nuk bindet se asnjë kandidat nuk ka numrin e mjaftueshëm të votave në Kuvend për formimin e Qeverisë, ajo duhet të shpallë zgjedhjet brenda 40 ditëve”, tha ai.
Sipas Shalës, nëse presidentja Osmani tejkalon këto hapa dhe e mandaton një kandidat për kryeministër, atëherë ajo “bën shkelje të Kushtetutës, aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe cenon paanësinë politike”. /Kosova.info/
