Bajrami: Nuk kam problem me Listën Serbe, fajtorët janë ata që kanë bërë pazare
Ministrja Hykmete Bajrami ka folur për dy çështje kryesore gjatë emisionit Debat Plus duke sqaruar qëndrimin e saj lidhur me Listën Serbe dhe akuzat për korrupsion në qeveri.
Bajrami ka theksuar se personalisht nuk ka pasur asnjë bashkëpunim me Listën Serbe duke përfshirë çështjet e pagave të veteranëve apo komunikimin me udhëheqësin e saj, Goran Radojiçiq. Ajo ka shtuar se problemi me Listën Serbe ekziston te ata që kanë koordinuar fshehurazi dhe kanë bërë pazare me Radojiçiqin.
“Lista Serbe duhet t’i nënshtrohet rregullativës ligjore. Me këtë çështje duhet të merret edhe Qeveria e ardhshme e Republikës,” ka deklaruar Bajrami duke theksuar se vendimet për Listën Serbe duhet të miratoheshin nga kryeministri Albin Kurti dhe shefja e saj, Mimoza Kusari.
Po ashtu, ministrja ka kërkuar falje për një shprehje të përdorur gabimisht në emision ndaj ambalazhuesve të ujit duke sqaruar se akuzat e saj ishin për zyrtarët që kanë falur borxhet dhe që janë nën hetime për korrupsion.
“Ata që kanë dëmtuar shtetin dhe kanë falur borxhet janë qeveritarët, në krye me deputetin Albin Kurti, si dhe ata që janë në procedura gjyqësore për korrupsion e keqpërdorim të detyrës. Ata duhet të përfundojnë në burg,” ka theksuar Bajrami. /Kosova.info/
