Halili: Premtimet për 300 mijë vende pune janë politike, jo ekonomike
Njohësi i ekonomisë dhe afaristi Fadil Halili ka reaguar në lidhje me premtimet elektorale të partive politike për hapjen e qindra mijëra vendeve të reja të punës duke i cilësuar ato si më shumë politike sesa ekonomike.
Halili theksoi se papunësia mbetet një ndër problemet më të mëdha të ekonomisë kosovare, me rreth 375 mijë qytetarë të papunë sipas të dhënave aktuale. Ai shtoi se deklaratat e fituesve të zgjedhjeve për hapjen e 200 apo 300 mijë vendeve të reja pune duken tepër optimiste dhe pa mbështetje reale.
“Skepticizmi nuk shmanget në këtë premtim numerik, pasi premtimi pa mbështetje analitike mbetet më shumë politik se ekonomik,” u shpreh Halili.
Ai vuri në pah se mungesa e një strategjie të mirëfilltë zhvillimi ekonomik, përjashtimi i profesionistëve nga proceset vendimmarrëse, si dhe moszhvillimi i raporteve monitoruese e vlerësuese për zbatimin e politikave publike, po e lënë ekonominë e Kosovës peng të zhvillimeve të rastësishme dhe pa vizion afatgjatë.
Në përfundim, Halili solli një thënie popullore shkodrane për të përmbledhur realitetin ekonomik:“Nëse fiton 8 dhe shpenzon 10, nuk ke nevojë me bart kuletë.”
Ai e mbylli reagimin e tij me një urim të shkurtër për qytetarët: “Vikend të mirë!”. /Kosova.info/
